Shumëkush ia dëshiron fundin Evropës

Cili do të jetë hapi i radhës i Evropës? Shumëkush mezi pret që Evropa të dështojë. Siria, emigrantët, terrorizmi: krerët e BE-së duken të pashpresë karshi këtyre krizave të ndërlidhura. Megjithatë ka shpresë për zgjidhje politike – dhe zgjidhja nis me Turqinë

Foto: John Kehly / Shuterstock.com



Në kohën kur Evropës po i shumëfishohen sfidat përditë, politika asnjëherë nuk ka qenë më e shkëputur prej realitetit se tani. Evropa po mundohet të ngujohet, dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë rrokur kokën në dorë për shkak të emigrantëve. Rikthimi i kufijve, që është deklaruar prej shumë shteteve, e ka të shkruar të dështojë për shkak të mungesës së burimeve. Për më keq, është në kundërshtim me parimin themelor të solidaritetit. Evropa është në prag të kolapsit, megjithëse as po e shohim se çfarë po ndodh.

Disa – populistë dhe pesimistë të ngjashëm – po shpresojnë se e gjithë kjo krizë po sjell në horizont fundin e BE-së. Përkundrazi, ajo çfarë ka mbetur prej BE-së nuk po lejon që gjendja aktuale të shndërrohet në tragjedi të vërtetë. Edhe nëse nuk i kemi të kompletuar, kemi kontroll të kufijve të jashtëm dhe sistem monitorimi në Mesdhe, ani pse nuk janë të përsosur. Kemi vendosur për ata që duhet të riatdhesohen dhe për rilokimin e emigrantëve. Kemi ndarë fonde për krizën humanitare që u janë dorëzuar OJQ-ve që po merren me kujdesin për emigrantët. Nëse do të vazhdohet me këtë ritëm, do të ketë nevojë ndihmash edhe për shtetet anëtare.

Mungesa e unitetit evropian dhe e diplomacisë së ndershme nuk na ndalon që të pajtohemi në një pikë: ne nuk kemi mundësi të zgjiidhim krizën e migracionit nëse dështojmë të zgjidhim krizën në Siri dhe të rikthejmë stabilitetin në fqinjësinë e Evropës.

Është një faktor kyç që mund të ndihmojë Evropën të kontrollojë fluksin e emigrantëve: Turqia – një vend me të cilin BE-ja ka raporte të dykuptimshme prej një kohe të gjatë. Por lënia anash e raporteve me Turqinë, turbullimi i qëllimeve tona të përnjëmendta, mosqartësimi i të ardhmes evropiane të Ankarasë, premtimet e mëdha dhe pastaj mosrealizimi i tyre: kjo qasje dyfytrëshe ka krijuar gjendjen që e kemi sot, dhe tani po e paguajmë çmimin për këtë punë.

Për disa javë me radhë, të gjithëve duket se na ishte mbushur mendja se raportet tona me Turqinë janë të domosdoshme për zgjidhjen e tri sfidave të mëdha. E para është lufta kundër terrorizmit. Turqia, urë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe kontinentit aziatik, është më shumë se pikë sistematike kalimi për qytetarët e BE-së, që kanë shkuar në zona të luftës në Siri e Irak. Është gjithashtu e vërtetë se nëpër Turqi kalojnë luftëtarët e huaj kur kthehen në Evropë.

Prandaj bashkëpunimi më i mirë me Turqinë për fuqizimin e kontrollit kufitar dhe këmbimi i informacioneve është qenësor. Sfida e dytë lidhet me krizën e emigrantëve. Prej momentit kur është dhënë zotimi më 29 nëntor për ndarjen e tre miliardë eurove për nevojat e ndihmave për refugjatët, nuk janë marrë hapa konkretë. Dhe si zakonisht, edhe pas kësaj detyrimet u shtyen për samitin ndërmjet Turqisë dhe BE-së. Pse? Që të presim, përsëri.

Përveçse Turqia të nisë zbatimin e planit për mbajtjen e emigrantëve në territorin e saj, është nevojë urgjente që të shënohet përparim konkret për ndryshimin e marrëveshjeve të administrimit të krizës. Pa këto dy parakushte, do të shpërthejë presioni i migracionit në Greqi. Duhen hapa konkretë e urgjentë. Turqia duhet të zbatojë zotimin dhënë BE-së për reduktimin e fluksit të emigrantëve. Dhe Evropa duhet të jetë konsistente, sepse deri sot nuk e njeh Turqinë si shtet të sigurt. Andaj pse po kërkojmë prej Turqisë t’u bëjë konak emigrantëve dhe të kthejmë prapa ata që nuk mund t’i mbajmë në tokën tonë sepse nuk i plotësojnë kushtet për azil?

Sfida e tretë është gjetja e një zgjidhjeje për luftën në Siri. Sfidat e sigurisë dhe asaj të migracionit janë të lidhur ngushtë me këtë konflikt prej pesë vjetësh. Miliona refugjatë sirianë janë tani rrugës për azil dhe shumica prej tyre janë te portat e Turqisë. Ne absolutisht duhet të pajtojmë dy gjigantët e këtij rajoni, Rusinë dhe Turqinë, që të parandalojnë një tjetër luftë përveç konfliktit në Siri. Ne duhet të pajtohemi edhe me Rusinë, që ka përfituar prej pretendimit tonë që të jetë aktori kryesor në këtë krizë.

Në një botë ku kriza e fuqizon krizën, nuk mund të shpresojmë absolutisht se do të zgjidhim sfidat pa marrë edhe mbështetjen e të tjerëve. Hapi i parë është nisja e dialogut të qartë e të ndershëm me Turqinë, Rusinë, Sirinë, Irakun dhe fuqitë e tjera rajonale. Dhe pavarësisht se çfarë mund të mendojmë për Bashar al-Assadin, ai është në gjendje të njëjtë me atë që ishte më parë Slobodan Milosheviqi. Paqja, qysh po e tregon edhe armëpushimi i tanishëm, varet edhe prej tij. Kjo nuk do të thotë se ai do të shkarkohet prej përgjegjësisë së të gjitha aksioneve të tij.

Samiti ndërmjet Turqisë dhe BE-së duhet të jetë i bazuar në nevojën për guxim dhe përgjegjësi të burrështetasve. Kërkohet vendosmëri e madhe politike për të marrë zotimin dhe qartësinë turke dhe që Evropa të jetë më e çiltër në gjuhën e saj me Turqinë.

Në këtë krizë të pashembullt, johumane dhe degraduese për Evropën dhe Turqinë, bota po na shikon dhe ne po shikojmë pa shpresë fundosjen morale dhe institucionale. A jemi të zotë të zemërohemi vetëm atëherë kur në media shfaqen fotografi tragjike? A jemi të zotë vetëm të nënshkruajmë peticione? A jemi të zotë vetëm të ndërmarrim veprime minimale sa për të shpëtuar ndërgjegjen tonë? Kemi mjetet demokratike dhe materiale për të vepruar.

A do të presim për një tjetër sulm terrorist në tokën tonë që të bashkëpunojmë dhe të ndajmë mjetet tona për të luftuar kundër radikalizimit? A do të presim që të marrë hov ksenofobia, si në Gjermani, që politika jonë ndaj emigrantëve të mos përfaqësojë vlerat tona? A është politika reagim i bazuar vetëm në rezultatet e anketimeve, ku vendimet varen prej faktit sa popullore mund të jenë? Nuk ma merr mendja se puna ka ardhur deri këtu, ose së paku ky nuk është as koncepti i politikës e as i fisnikërisë së Evropës.

(«Guardian»)