Zyrtarizohen koalicionet parazgjedhore për zgjedhjet e 11 qershorit

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë arritur koalicionin parazgjedhor, ndërsa kandidat për kryeministër është ministri në detyrë i Financave, Avdullah Hoti. Në KQZ është dorëzuar edhe koalicioni tjetër parazgjedhor, i lidhur në mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën. Kandidat për kryeministër i këtij koalicioni është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Foto: Shutterstock



Pak minuta para se të përfundojë afati zyrtar për regjistrimin e partive politike dhe koalicioneve, në Komisionin Qendror Zgjedhor janë regjistruar dy koalicione, që do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, me 11 qershor 2017.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, kanë arritur koalicionin parazgjedhor. Marrëveshja është nënshkruar mes kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe kryetarit të AKR-së, Behxhet Pacollit.

Mustafa dhe Pacolli, gjatë një paraqitje të përbashkët para gazetarëve kanë deklaruar se me nënshkrimin e këtij koalicioni Kosova do të ndryshojë dhe do të vihet në binar të duhur, si dhe ky koalicion është në interes të qytetarëve dhe Kosovës.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka nënshkruar edhe dy marrëveshje tjera, njërën me Alternativën që udhëhiqet nga Mimoza Kusari Lila dhe tjetrën me Lëvizjen për Drejtësi. Gjithashtu, LDK ka nominuar kandidatin për kryeministër, ministrin në detyrë të Financave, Avdullah Hotin.

Në KQZ është dorëzuar edhe koalicioni tjetër parazgjedhor, i lidhur në mes PDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën. Kandidat për kryeministër i këtij koalicioni është lideri i AAK-së Ramush Haradinaj, ndërsa kryetari i PDK-së Kadri Veseli do të jetë bartës i listës.

Të tri partitë, pas dorëzimit të marrëveshjes në KQZ kanë mbajtur ndaras konferenca për shtyp.

Enver Hoxhaj, nga Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se kandidat për kryeministër nga koalicioni parazgjedhor ndërmjet PDK-së, AAK-së dhe NISMA-s do të jetë Ramush Haradinaj. «Haradinaj do të jetë kandidat për kryeministër ndërsa Veseli do të jetë bartës i listës», ka thënë Hoxhaj dhe ka shtuar se «bashkë do të kemi një qeveri të veprimit, bashkë do ta jetësojmë Fillimin e Ri».

Zëdhënësi i AAK-së Muharrem Nitaj tha se më në fund ky vend ka nevojë të udhëhiqet nga Ramush Haradinaj. Nitaj shtoi se 55 kandidatë do të jenë nga PDK, ndërsa 55 nga AAK dhe Nisma.

Ndërsa, sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi në një konferencë për media tha se partia e tij e ka mbështetur Ramush Haradinajn për kryeministër. «Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër, ndërsa ne (Nisma) do ta kemi zëvendëskryeministrin, dhe PDK nuk do të kandidoj asnjë kandidat për kryetar të Malishevës, në zgjedhjet lokale», tha Sherifi.