Zyrtari amerikan në vizitë për të zgjidhur krizën e Maqedonisë

Zv.ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Yee do të mbërrijë në Maqedoni të hënën teksa kriza politike vazhdon për zgjedhjen e një qeverie të re të kryesuar nga opozita.

Zyrtari amerikan në vizitë për të zgjidhur krizën e Maqedonisë. Foto arkivë: MIA



Gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni, Yee do të takohet me liderë politikë për të diskutuar formimin e një qeverie të re, lidhjet bilaterale dhe reformat e nevojshme për integrimin Euro-Atlantik të Maqedonisë, tha ambasada e SHBA-së në Shkup.

Yee pritet të nxisë për fundin e ngërçit politik dhe bllokadës institucionale që ka penguar krijimin e një qeverie të re të drejtuar nga opozita që nga zgjedhjet e dhjetorit.

Ngërçi politik është rezultat i bllokimit nga ana e deputëtëve të ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE në parlament, mbështetur nga presidenti Gjorge Ivanov, i cili refuzon t’ia japë mandatin për një qeveri të re socialdemokratëve të opozitës, LDSM, pavarësisht se kanë shumicë në parlament.

Mitko Gagjovski, një profesor i shkencave politike në Fakultetin e Shkupit tha gjithsesi se ishte optimist.

«Pas takimeve të Yee me liderët të hënën, do të bëhet më e sigurt se e vetmja rrugë për të dalë nga kriza do të jetë përmes gjetjes së një mënyrë institucionale, përmes zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri dhe pastaj qeverisë së re», tha ai.

Gagjovski tha për Radion Europa e Lirë se dyshonte nëse VMRO DPMNE do të tërhiqej dhe do t’i jepte fund bllokadës pas vizitës së Yee, bazuar te eksperiencat e fundit të Yee në Maqedoni.

Ai theksoi se disa ministra të VMRO DPMNE-së kishin dhënë dorëheqjen në maj 2015, menjëherë pas vizitës së Yee, kur ai u kërkoi zytarëve të marrin përgjegjësi për skandalin e përgjimit masiv ku ata ishin ngatërruar.

Megjithatë presidenti Ivanov duket se do ta shmangë takimin me zyrtarin amerikan, pasi kabineti i tij këmbënguli se ai ishte shumë i zënë.

Më 22 mars, Ivanov shmangu takimin me komisionarin Johannes Hahn.

Yee do të jetë i pari zyrtar i lartë amerikan që do të vizitojë Maqedoninë që nga zgjedhjet e 11 dhjetorit që ngjallën shpresën për dalje nga kriza.

Vizita e tij vjen pasi disa zyrtarë të BE-së nuk ia dolën të bindin presidentin Ivanov të respektojë rezultatet e zgjedhjeve dhe të ndalojë pengesën e mandatit për formimin e qeverisë së re nga opozita.

Presioni është rritur mbi social demokratët, të cilët bashkë me partnerët etnikë shqiptarë kanë 67 vende në parlamentin me 120 vende, në mënyrë që të veprojnë për t’i dhënë fund bllokadës parlamentare.

Mes kërcënimeve nga mbështetësit e VMRO DPMNE-së se nuk do ta lejojnë krijimin e qeverisë nga opozita, është shtuar frika se situata mund të përshkallëzojë në dhunë.

Presidenti dhe VMRO DPMNE këmbëngulin se një qeveri e udhëhequr nga LSDM do të rrezikonte sovranitetin e vendit, për shkak të pranimit të disa kërkesave për reforma të vendosura nga partitë etnike shqiptare.

LSDM këmbëngul që VMRO DPMNE, që ka udhëhequr qeverinë që nga viti 2006, po e mban fort pushtetin për shkak se udhëheqësit e saj kanë frikë nga gjykimi për korrupsion.

Disa figura të larta partiake, përfshirë udhëheqësin e VMRO DPMNE-së Nikola Gruevski, po përballen me hetime penale dhe aktakuza nga Prokuroria Speciale, SJO, që sipas tyre janë të motivuara politikisht.

(https://www.reporter.al/zyrtari-amerikan-ne-vizite-per-te-zgjidhur-krizen-e-maqedonise/)