Zyrtarët shpërfillin problemet e banorëve të rrugës «Rexhep Luci» në Prishtinë

Banorët e rrugës «Rexhep Luci» në kryeqytet, prej shumë vjetësh nuk po gjejnë qetësi në banesat e tyre.




Zhurma e kafeterive, kundërmimi në hyrjet e banesave, rrënimi i mureve mbajtëse në katet përdhese, uzurpimi i hapësirave dhe trotuareve para banesave, sipas banorëve, po i privon nga një jetë e dinjitetshme, shkruan sot «Koha Ditore».

Të indinjuar nga sjelljet e organeve kompetente dhe mosefikasiteti i tyre, kanë paralajmëruar se nëse nuk ndërmerret diçka në këtë drejtim do të dalin edhe në protesta dhe do të ushtrojnë edhe padi në gjykatë.

Rexhep Shkodra, banor i kësaj rruge, thotë se jeta në banesën e tij i është bërë e padurueshme prej kur u është lejuar pronarëve të zhvillojnë veprimtari, të cilat ai i ka quajtur të bezdisshme.

Sipas tij, pronarët e lokaleve nuk respektojnë as urdhëresat e organeve të rendit dhe problemi i tyre vazhdon të jetë i njëjtë.

«Ka ndodhur i kemi thirrur deri në 10 herë policinë që të vijnë dhe të intervenojnë t’i ndalin zhurmën lokaleve, deri sa kanë ardhur. Por, në momentin që ata largohen vazhdon i njëjti problem madje ndodh deri në orën 02:00 pas mesnatës», ka thënë Shkodra.

Ai ka bërë të ditur se kanë kërkuar disa herë që të takohen me kryetarin e Prishtinës, Shpend Ahmeti, që të diskutojnë për situatën e krijuar në këtë lagje dhe të gjendet një zgjidhje, por deri më tani nuk kanë marrë një përgjigje nga ana e tij.

Madje Shkodra ka thënë se kanë paraqitur ankesë edhe tek Avokati i Popullit dhe janë duke pritur një përgjigje dhe se me një kërkesë të tillë do t’i drejtohen edhe EULEX-it.

Në ankesën që ata kanë bërë në komunë thuhet se janë të indinjuar me sjelljet e organeve, joefikasitetin e tyre dhe dorëzimin siç thonë para «krimbërsve» ndaj banorëve të ndërtesës.

Banorët kishin kërkuar edhe nga Inspektorati i Komunës që të ndërmarrë diçka, ndërsa në një përgjigje të tyre të datës 20 janar 2016, thyhet se kjo është zonë e bizneseve dhe se ato janë të pajisura me dokumentacionet për ushtrimin e veprimtarive të tyre.

Banorët kanë bërë edhe peticione disa herë, duke u ankuar për problemet e njëjta.