Zyrtarët olimpikë të Malit të Zi grabiten me armë në Rio

Komiteti Olimpik i Malit të Zi deklaroi se një zyrtar i tij, një diplomat dhe dy të tjerë u plaçkitën në kërcënimin e armës në një autostradë në Rio de Zhaniero.

Persona të paidentifikuar grabitën makinën zyrtare të Komitetit Olimpik të Malit të Zi dhe plaçkitën anëtarët e delegacionit malazez në afërsi të aeroportit të Rio de Zhaneiros, lajmëroi të martën Komiteti Olimpik i Malit të Zi.

Incidenti ndodhi të hënën në mbrëmje, kur përfaqësuesit e Malit të Zi ishin nisur nga aeroporti për në qytet me makinë. Sulmuesit provokuan një aksident dhe pastaj grabitën me armë sendet personale të malazezëve, si dhe morën makinën.

Komiteti Olimpik i Malit të Zi tha gjithashtu se zyrtari i tij, një diplomat nga ambasada në Argjentinë dhe dy të tjerë u plaçkitën në autostradën përgjatë aeroportit të Rio de Zhaneiros.

Media raportoi emrat e viktimave si Nikola Djuroviç, zyrtar i Komitetit Olimpik të Malit të Zi, Miljan Mugosa, një diplomat në Argjentinë dhe dy përfaqësues të diasporës malazeze në Amerikën Latine – Bozidar Saranoviç dhe Nikolas Vukasoviç.

«Policia braziliane ka nisur një hetim pas shoqërimit të malazezëve në hotel», tha Komitetit Malazez.

Ata thanë se «veprimi i guximshëm» i malazezëve kishte «parandaluar një incident me pasoja edhe më të këqia dhe nuk pati të lënduar».

Që nga incidenti, komiteti malazez ka këshilluar garuesit e tjetër që të mos dalin nga zona e mbrojtur sportive.

Ministria e jashtme malazeze tha se do t’i dërgonte një notë proteste ministrisë së jashtme braziliane.

Gjithashtu ajo i bëri thirrje shtetasve malazezë në Rio të «lëviznin në grupe të organizuara dhe të shmangnin lëvizjen vetëm gjatë vajtjes në eventet sportive, për shkak të situatave të paparashikueshme që mund të ndodhin gjatë Olimpiadës».

Në Lojërat e Treta Olimpike që nga fitimi i pavarësisë në 2006, Mali i Zi po konkurron në Rio në atletikë, hendboll, xhudo, lundrim, not, tenis dhe vaterpolo, me 34 atletë.

(reporter.al: http://www.reporter.al/zyrtaret-olimpike-te-malit-te-zi-grabiten-me-arme-ne-rio/)