Zyra e Prokurorit Disiplinor në konflikt interesi pas vendosjes te Pallati i Drejtësisë

Hyjnë dhe dalin nga e njëjta derë. Edhe ushqimin e hanë në të njëjtin vend, në bufenë e Pallatit të Drejtësisë.

Afro katër muaj, që kur Zyra e Prokurorit Disiplinor është vendosur në këtë objekt, prokurorët disiplinorë e kanë të pamundur t`iu shmangen kontaktit me gjyqtarë e prokurorë, të cilët janë ose mund të jenë cak i hetimit, shkruan sot Koha Ditore.

Se kjo përbën konflikt interesi pranohet edhe nga vetë zyrtarët e ZPD-së. Këtë shqetësim, ata thonë se e kanë ngritur fillimisht te Ministria e Administratës Publike (MAP) , si dhe te Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), të cilët kanë vendosur për zhvendosjen e kësaj zyre te Pallati.

I kanë shkruar edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), e Qeverisë së Kosovës. Kjo e fundit, për më shumë se dy muaj nuk u ka kthyer kurrfarë përgjigje.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve të drejtësisë kanë thënë se vendosja e ZPD-së te Pallati i Drejtësisë është një zgjedhje e gabuar, e cila përveçse krijon konflikt interesi, ndikon edhe më shumë në humbjen e besimit të qytetarëve në këtë institucion, i cili do të duhej të ishte i pavarur.