Zv/ministri Ilazi blen biletë biznes-klasë për në Vjenë, por ia zë vendin Grabovci

Dikur Ramadan Ilazi e kritikonte ashpër Qeverinë e Kosovës për shpenzime të panevojshme, sa ishte pjesë e Lëvizjes «FOL».




Por, tani kur vetë është pjesë e Qeverisë, si zëvendësministër i Integrimeve Evropiane, gjërat kanë ndryshuar, raporton KTV.

Në fillim të shtatorit, ai ka marrë pjesë në Forumin Ekonomik të liderëve të rinj në Poloni dhe për këtë ka shfrytëzuar klasën biznes të fluturimit, ka mësuar KTV-ja.

Ai ka udhëtuar me Austrian Airlines, përmes Vjenës, bashkë me një zyrtare të Ministrisë.

Sipas çmimeve online, 2 bileta të tilla për një drejtim kushtojnë rreth 1 mijë e 900 euro.

Në bazë të udhëzimit administrativ 2004/07, fluturimet për udhëtime zyrtare kryhen me klasë ekonomike, që është dukshëm më e lirë se ajo biznes.

Ministria për Integrime Evropiane e ka quajtur këtë procedurë të zakonshme.

«Sa iu përket udhëtimeve zyrtare, kur në klasën ekonomi nuk ka hapësira të lira, biletat rezervohen në klasën biznes. Kjo është procedurë e zakonshme për udhëtime të veçanta dhe urgjente. Me datën 7 shtator, zëvendësministri Ilazi ka udhëtuar për në Poloni, ku ka marrë pjesë në një forum të nivelit të lartë, ndërsa për shkak të ndryshimeve të fundit në agjendë, ai është dashur të udhëtojë për në Bruksel nga Polonia, për të marrë pjesë në takime për Raportin e Progresit. Rrjedhimisht ky ndryshim në momentin e fundit ka bërë që biletat të rezervohen me vonesë», ka thënë Blerta Aliu, Këshilltare për media në Ministrinë e Integrimit.

Por, pavarësisht kësaj, Ilazi as nuk ka arritur ta shijojë këtë udhëtim.

Në fluturimin e njëjtë ka qenë një delegacion i Kuvendit të Kosovës, deputetë pjesë të Komisionit për mbikëqyrje të financave.

Një burim i afërt me ngjarjen ka treguar për KTV-në se Adem Grabovci e Hajdar Beqa i kanë kërkuar Ramadan Ilazit dhe zyrtares së ministrisë që t’ua lëshojnë atyre vendin në klasën biznes, çka edhe ka ndodhur.

Të njëjtën e kanë konfirmuar burime të ndryshme, duke treguar se deputetët e PDK-së, bashkëpartiakut të tyre i kanë treguar se duhet të respektojë hierarkinë.

Se deputetët e PDK-së janë ulur në klasën biznes, e ka konfirmuar Hajdar Beqa.

«Unë jam ulur përpara sepse vendi ka qenë i lirë. Kur udhëton shpesh edhe nëse ke paguar biletën ekonomike dhe vendi është i lirë, atëherë mundesh m’u ul», ka thënë deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa.

Shefi i tij, Adem Grabovci, nuk është përgjigjur në thirrjet e KTV-së.

Qeveria e Kosovës shpesh është përfshirë në skandale të tilla të shpenzimit të buxhetit në udhëtime jashtë vendit, transmeton Koha.net.

I fundit ka qenë ish-ministri Bernard Nikaj, i cili për një biletë në Japoni kishte paguar 6 mijë e 843 euro nga taksat e qytetarëve të Kosovës.