Zvicrës i duhen 134 mijë punëtorë për t’u kujdesur për pleq, invalidë dhe të sëmurë nga drogat

Deri në vitin 2030 Zvicra do të ketë nevojë për mijëra punëtorë në sektorin e kujdesit shëndetësor. Autoritetet po synojnë t’i nxitin edhe të huajt të angazhohen.

Foto: Shutterstock



Në vitet e ardhshme shërbimet sociale në Zvicër do të zgjerohen në mënyrë masive. Sipas një parashikimi të Zyrës së Sigurimeve Sociale të Konfederatës (BSV) deri në vitin 2030 do të ketë nevojë për 134 mijë punëtorë për t’u kujdesuar për pleq, invalidë dhe të sëmurë nga drogat. Gazeta «SonntagsZeitung» shkruan se hulumtuesit vlerësojnë se më së shumti do të ketë nevojë për punëtorë të rinj në fushën e kujdesit ndaj të moshuarve. Por edhe institucionet për invalidë, të sëmurë nga drogat e ndryshme dhe të sëmurët psikikë do të kenë nevojë për punëtorë të rinj.

Shërbimet sociale do të zgjerohen për shkak të rritjes së numrit të popullsisë dhe plakjes së shoqërisë. Aktualisht shumë institucione sociale kërkojnë punëtorë. Disa institucione nuk po arrijnë të ofrojnë shërbimet e duhura për shkak të mungesës së personelit.

Punëtorë do të mungojnë edhe në çerdhe të fëmijëve, andaj pritet që numri i tyre të dyfishohet deri në vitin 2030. Konferenca e drejtorëve për çështje sociale (SODK) është duke shqyrtuar mundësinë që qytetarët e huaj me banim në Zvicër të shkollohen për të punuar në çerdhe fëmijësh, në qendra të pleqve dhe në institucione të tjera sociale. Në këta sektorë punojnë pak migrantë për shkak të njohurive të mangëta të gjuhëve të Zvicrës (gjermanisht, frëngjisht, italisht). (-lli)