Zvicra voton: Dy kauza kalojnë, njëra jo

Të dielën e 12 shkurtit 2017 në Zvicër është votuar për tri çështje: natyralizimin e lehtësuar, krijimin e një fondi për rrugët nacionale dhe trafikun e aglomeracionit si dhe për Ligjin e Reformit të Tatimit të Ndërmarrjeve. Sipas të dhënave preliminare dy çështjet e para kanë kaluar, e treta jo.

Imazhe të internetit nga fushata për natyralizimin e lehtësuar në Zvicër.



Kauza e parë për të cilën është votuar sot ka të bëjë me mundësitë e fitimit të lehtësuar të shtetësisë për emigrante dhe emigrantë, familjet e të cilëve jetojnë prej gjeneratash në Zvicër dhe janë integruar mirë në shoqërinë zvicerane. Çështja e dytë kërkon financimin e rrugëve nacionale dhe sigurimin e projekteve të aglomeracioneve përmes krijimit të një fondi të paafatizuar. Me këtë duhet të largohen ngushticat në rrugët nacionale, të sigurohet qarkullimi dhe mirëmbajtja e tyre si dhe financimi i projekteve të aglomeracioneve. Kauza e tretë për të cilën është votuar synon të krijojë një tatimim të moderuar të holdingjeve, të shoqërive domicile dhe të përziera. Ajo përmes masave të reja do ta forconte aftësinë konkurruese të Zvicrës dhe do ju krijonte kantoneve një hapësirë më të mirë politiko-fiananciare.

Vëmendjen më të madhe në opinionin publik e tërhequr çështja e natyralizimit të lehtësuar. Në këtë çështje Qeveria Zvicerane ka rekomanduar pranimin e draftit. Motivacioni i saj ka qenë: Emigrantët e rinj, gjyshërit e të cilëve tanimë kanë emigruar në Zvicër, janë një pjesë e rëndësishme e shoqërisë. Ata kanë ndjekur shkollat zvicerane, e flasin së paku njërën nga gjuhët e vendit, punojnë dhe paguajnë tatime. Me ndryshimet e parapara kushtetuese tregohet një kujdes për këto rrethana. Këta të rinj duhet të mund të natyralizohen me lehtësi… Ata në diskursin publik quhen «zviceranë pa pasaportë zvicerane».

Ligji, përkundër alarmit të kundërshtarëve të tij, gjithsesi nuk parashesh fitimin e shtetësisë me automatizëm. Për shtetësinë ka edhe më tej kushte të qarta. Çdo kërkesë shqyrtohet. Shtetësinë e fitojnë vetëm ata që janë integruar në shoqërinë zvicerane. Procedura e lehtësuar vetëm se zgjat më shkurtë dhe kushton më pak.

Ndërkohë kanë dalë edhe rezultatet e para preliminare në bazë të përllogaritjeve statistikore, që megjithatë nuk janë përfundimtare. Sipas këtyre të dhënave, natyralizimi i lehtësuar ka kaluar me 56 për qind të votave. Sipa shifrave të nxjerra nga NZZ, kjo përqindje mund të shkojë deri në 62. Ka kaluar gjithashtu propozimi për fondin e rrugëve me një shumicë akoma më të lartë statistikore prej 59 deri 65 për qind. Ndërkaq ka dështuar nisma për reformimin e tatimimit të ndërmarrjeve. ks