Zvicra synon të paguajë sërish pensione për kosovarët e kthyer në atdhe

Që nga viti 2010 qytetarët nga Kosova nuk mund t'i marrin pensionet nëse banojnë në atdhe. Kjo stituatë pritet të ndryshojë. Qeveria zvicerane ka marrë vendim për hapjen e negociatave për një marrëveshje të re për sigurimet sociale me Kosovën.

Foto: Shutterstock

Siç njofton agjencia zvicerane e lajmeve SDA, kosovarët në të ardhmen mund të marrin pensionet e tyre të pleqërisë dhe ato invalidore në rast se vendosin të kthehen në atdhe. Këtë dëshiron ta bëjë të mundshme qeveria e Zvicrës. Ministria e Brendshme e Zvicrës, e cila mbulon fushën e pensioneve, është ngarkuar nga qeveria për të filluar negociatat me Kosovën mbi një marrëveshje të re sociale me autoritetet në Prishtinë.

Që nga viti 2010 pensionistët kosovarë mund të marrin pensionet e tyre të pleqërisë dhe ato invalidore nëse banojnë në Zvicër. Në vitin 2010 qeveria zvicerane kishte vendosur të mos e vazhdojë më tutje marrëveshjen për sigurimet sociale me ish-Jugosllavinë, ku përfshihej edhe Kosova.

Vendimi ishte marrë pas akuzave të shumuta se kishte raste të keqpërdorimit të pensioneve nga ana e kosovarëve të papërgjegjshëm. Supozohej se disa prej tyre ndonëse gëzonin pension invalidor, prapëseprapë punonin në Kosovë, gjë që është e ndaluar. Zvicra kishte dërguar hetues sekretë në Kosovë për të zbuluar keqpërdoruesit e mundshëm, por, sipas autoriteteve në Bernë, hetuesit ishin kërcënuar dhe ishin kthyer në Zvicër. Asnjëherë nuk janë dhënë hollësi mbi natyrën e këtyre kërcënimeve. Sindikatat zvicerane dhe aktivistë të shumë shqiptarë prej vitesh kanë kritikuar Zvicrën për ndëshkim kolektiv të pensionistëve kosovarë. Njëkohësisht janë kritikuar edhe autoritetet e Kosovës për neglizhencë ndaj kësaj çështjeje. Tani Zvicra synon që marrëveshja e re të ketë një klauzolë, e cila parasheh mbështetje të ndërsjellë në luftimin e keqpërdorimit të sigurimeve sociale.

Ministria e Brendshme e Zvicrës ka njoftuar se që nga viti 2010 Kosova e ka zhvilluar dukshëm legjistlacionin në fushën e sigurimeve sociale dhe ka ngritur infrastrukturën përkatëse. Po ashtu është testuar edhe bashkëpunimi me autoritetet kosovare në bazë të disa shembujve.

Marrëveshja pritet të miratohet nga parlamentet e të dy shteteve, por deri në hyrrjen në fuqi të saj mund të kalojnë dy deri tri vite. Në Zvicër, shkruan SDA, jetojnë 112 mijë kosovarë. Para viti 2010 disa qindra pensione dërgoheshin në Kosovë. Me skadimin e marrëveshjes ishte pezulluar edhe mundësia për shtesa familjare për fëmijë, të cilët nuk jetojnë në Zvicër.
Shumë kosovarë e quanin diskriminuese këtë masë të Zvicrës. Me një peticion të nënshkruar prej 10 mijë personave ishte kërkuar nga qeveria zvicerane të negociojë me Kosovën një marrëveshje për sigurimet sociale.

Kosovarët, të përkrahur nga sindikatat, kritikonin se kush ka kupuar gati tërë jetën dëshiron që në moshën e shtyrë të vendosë vetë se ku mendon ta kalojë pleqërinë. (-lli)