Zvicra, superfuqia e kafesë

Në tregtinë globale të kafesë Zvicra është vend prijës. Si është e mundur kjo?

Foto: Shutterstock



Djathë, orë, çokollata. Te këto prodhime u shkon mendja të huajve, sidomos turistëve, kur bëhet fjalë për Zvicrën. Por, Zvicra më shumë eksporton kafe se djathë dhe çokollata. Në biznesin e kafesë Zvicra është një superfuqi.

Në një bisedë me radion e Zvicrës franceze RTS nënkryetari i Shoqatës së Tregtarëve të Kafesë të Zvicrës, Cyrille Jannet, tha: «Shumica e tregtarëve të kafesë janë të pranishëm në Zvicër. Kjo ka të bëjë me emrat e mëdhenj të industrisë së kafesë si Nestlé dhe Nespresso si dhe me firmat më të rëndësishme logjistike brenda rrjetit të tregtisë, siç është transporti detar i kafesë. Kësisoj, Zivcra është bërë një qendër e tregtisë me kafe – nga tregtia e madhe deri te prodhimi industrial».

Gjashtë ndërmarrjet më mëdha tregtare të kafesë në botë kanë selitë e tyre në rajonin e Gjenevës dhe në Zürich. Burime të ndryshme vlerësojnë se 60 deri 75 për qind e tregtisë me kafe zhvillohet në Zvicër. Në vitin 2015 Zvicra ka eksportuar kafe në vlerë prej 2,1 miliardë euro. Rrjedhimisht, eksporti i kafesë është më i rëndësishëm se eksporti i çokollatës dhe djathit.

Statistikat doganore tregojnë se në 10 vitet e fundit eksporti i kafesë është shtuar dukshëm. Ndërmarrja Nespresso si lider i tregut prodhon kapsulat e kafesë në tri ndërmarrje në Zvicër. (dp)