Zvicra mbushi 725 vjet

1 Gushti është Dita Kombëtare e Zvicrës. Sot është ditëlindja e 725-të e saj. Ajo sheh prapa një histori të bujshme përpjekjesh dhe suksesesh.

Foto: Photo Veterok / Shutterstock

Në vitin 1291 Uri, Schwyz dhe Unterwalden lidhën bashkë një aleancë. Në vitet 1332 deri 1513 kësaj iu bashkangjitën edhe Berna, Cyrihu, Glarusi, Soloturni, Friburgu, Lucerna, Zugu, Qyteti dhe Rrethina e Baselit, Shafhauseni, Apenzeli. U krijua një federatë qytetesh dhe rrethinash.

Nga 1527 deri 1531 Zvicra ka përjetuar periudhën e refomacionit. Kjo e ndau federatën në katolikë dhe protestantë. Për 200 vite, këto kampe luftuan njëri-tjetrin. Më 1798 bie Besëlidhja. Trupat franceze të Napoleonit marshojnë në Zvicër. Vendi bëhet një shtet nën protektoratin e Francës – Republika Helvetike.

Në periudhën ndërmjet 1803 deri 1815 ndodh rilindja e Federatës. Asaj i bashkangjiten kantone të tjerë: SG, GR, AG, TG, TI, VD, VS, NE, GE. Në këtë kohë Zvicra fiton kufinjtë që ka edhe sot. Në Kongresin e Vjenës, në vitin 1815, vendet fqinje e njohën neutralitetin e Zvicrës.

Më 1847 Zvicra rrëshqet në një luftë qytetare mes kantoneve konservative katolike dhe atyre liberale protestante. Të parët kërkonin ruajtjen e Konfederatës, të dytët kërkonin një shtet të centralizuar. Shteti i sotëm i Zvicrës është krijuar më vitin 1848 me mbarimin e luftës qytetare përmes një kompromisi. Zvicra konstituohet si një konfederatë me një kushtetutë federative. Me këtë kantonet fitojnë autonomi të mëdha. Në vitin 1874 bëhet një revizion i përgjithshëm i kushtetutës. Kjo i forcon të drejtat qytetare dhe të federatës në kurriz të kantoneve.

Krijimi i rrjetit hekurudhor, ndërtimi i tuneleve të Gothardit dhe Simplonit datojnë nga vitet 1874-1914. Në këtë kohë bëhen aktuale çështja e rrogave, orarit të punës etj. Ndalohet puna e fëmijëve në fabrika.

Lufta e Parë Botërore Zvicrën e gjen neutrale. Përbrenda, gjermanofonët simpatizohen me Gjermaninë, kurse frankofonët me Francën. Në këtë periudhë tensionohen raportet midis punëdhënësve dhe punëmarrësve. Në vitin 1918 thirret një grevë e përgjithshme. Kundër grevistëve përdoret ushtria. Vitet 1919 deri 1939 karakterizohen nga një krizë ekonomike. Shtyllat kryesore të ekonomisë janë industria e maqinerisë dhe ajo kimike. Bashkimet e punëdhënësve dhe sindikat bëjnë paqë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore Zvicra mbetet neutrale dhe kursehet nga ajo. Shteti Helvetik bëhet strehë e mijëra hebrenjëve. Periudha 1945 deri 1975 njeh një konjukturë të lartë ekonomike. Në këtë kohë inkurajohet edhe migracioni i të huajve. Në vitin 1947 themelohet shtylla e parë e sigurimit social – AHV. Më 1971 futet e drejta e votës dhe zgjedhjes për gratë në rrafsh nacional.

Në vitin 1979 themelohet Kanton Jura. Dy vite më vonë ndodhin marrëveshjet bilaterale me Unionin Evropian. Në vitin 2002 Zvicra bëhet anëtare e OKB-së. 2014-ta do mbahet mend për Iniciativën e Migracionit Masiv, e cila u pranua me 50,2 për qind. Viteve të fundit Zvicra vërshua nga valë refugjatësh sidomos nga vatrat e krizës në Lindjen e Afërt dhe Afrikë. Viti 2016 do të mbahet në mend edhe për Iniciativën e bujshme të Zbatimit (të dëbimeve) të Partisë Popullore Zvicerane, e cila u rrëzua nga votuesit. ks