Zvicra i ndjell kokat më të mençura

Në konkurrencë për vendet më të mira të punës Zvicra e mban vendin e parë. Vlerësohet lartë edhe veriu i Evropës.

Muzeu i Historisë së Shkencës në Gjenevë. Foto: Martin Good / Shutterstock.



Për të katërtën herë me radhë Zvicra e zë vendin e parë në konkurrencën për talentet më të mira. Vendi llogaritet si i përgatitur mirë për sfidat e teknologjisë së të ardhmes, thotë një studim i zhvilluar në 118 vende që del në vigjilje të Forumit Ekonomik Botëror.

Vendet e tjera të mira në konkurrencë për kokat më të mençura i zënë Singapuri, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Përveç Suedisë, e cila e zë vendin e pestë, në top-dhjetëshin e listës vijnë edhe Danimarka, Finlanda dhe Norvegjia.

Janë gjashtë kritere të caktuara nga studiuesit për matjen e aftësisë konkrruese për talente të një vendi. Në pesë prej këtyre gjashtë kritereve Zvicra pozisionohet në top-pesëshe. Ajo pozicionohet shumë mirë sidomos për sa i përket cilësisë së jetesës, ku e zë vendin e parë; për kushtet e përshtatshme, ku e zë vendin e dytë; për aftësitë profesionale dhe teknike, ku e zë vendin e tretë; për sa i përket atraktivitetit, ku e zë vendin e pestë dhe në çështje të rritjes ekonomike, ku e zë përsëri vendin e pestë. Përveç sistemit dual profesional, një favor i madh për Zvicrën në vlerësim ishte edhe tregu fleksibël i punës. Diçka më dobët në Zvicër janë vlerësuar njohuritë e përgjithshme, ku ajo e zë vendin e shtatë.

Për herë të parë në studim janë konsideruar edhe 46 qytete. Si qyteti më atraktiv në botë në studim është vlerësuar Kopenhaga. Në vend të dytë vjen Cyrihu, i cili ndiqet nga Helsinki, San Francisko dhe Göteburgu. Një gjë e përbashkët e të gjitha këtyre qyteteve është cilësia e lartë e jetesës, konektiviteti i lartë dhe shanset e shkëlqyera për karrierë ndërkombëtare.

Është përllogaritur indeksi i aftësisë konkurruese, i ashtuquajturi Global Talent Competitiveness Index, nga Universiteti Ekonomik francez INSEAD në bashkëpunim me ndërjetësin e punës Adecco dhe Human Capital Leadership Institute në Singapur. ks