Zvicra i integron myslimanët me sukses

Ndonëse janë relativisht dobët të kualifikuar dhe kanë rroga të ulëta, myslimanët në Zvicër participojnë në jetën sociale dhe ekonomike, duke u integruar më mirë se në vendet e tjera europiane. Në Zvicër shumica e 400 mijë myslimanëve janë me origjinë nga Kosova dhe Bosnja.

Pothuaj parajsë: Pamje nga qyteti i Luzernit në Zvicrën qendrore. Foto: Shutterstock



Nga Skandinavia në Itali, nga Britania e Madhe në Hungari në media mbizotëron një temë: si dhe a do t’ia dalin shoqëritë perëndimore t’i integrojnë myslimanët, në mënyrë që të mos krijohen geto, të pengohet radikalizmi fetar dhe kësisoj të ruhet paqja dhe të sigurohet mirëqenia. Në disa vende (si në Hungari) qeveritë zhvillojnë fushata pothuaj raciste kundër të huajve, sidomos ndaj myslimanëve, në shtete të tjera autoritetet përpiqen t’i integrojnë të huajt, veçanërisht myslimanët me politika sistematike.

Në Zvicër aktualisht titujt e mediave i dominojnë një imam nga Libia, i cili – ngjashëm si politikani kosovar Azem Syla – ia ka marrë buxhetit zviceran mbi gjysmë milioni franga si ndihmë sociale, dhe një grua 30-vjeçare, e cila dyshohet se është përpjekur t’i bashkohet luftës në Siri.

Por, përtej këtyre rasteve individuale niveli i integrimit të myslimanëve në Zvicër është pozitiv.

Sipas «Monitorit të religjionit» të Fondacionit gjerman Bertelsmann Zvicra është e pozicionuar më mirë sa i përket integrimit të myslimanëve se Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Austria. Siç shkruan gazeta «Neue Zürcher Zeitung» rezultatet e studimit të Fondacionit Bertelsmann nuk janë të vetëkuptueshme, sepse Zvicra ka pasur më pak kohë për t’i integruar myslimanët: dy të tretat e myslimanëve të Zvicrës i takojnë gjeneratës së parë të ardhacakëve. Në Britaninë e Madhe mbi 60 për qind e myslimanëve kanë lindur në atë vend, në Gjermani dhe Francë gati gjysma. Emigrantët në Francë shpesh kanë edhe një përparësi tjetër: ata rrjedhin nga ish-kolonitë franceze dhe e njohin gjuhën frënge. Në Zvicër shumica e 400 mijë myslimanëve janë me origjinë nga Kosova dhe Bosnja. 83 për qind e myslimanëve të Zvicrës janë të punësuar – kjo është shifra më e lartë e vendeve të krahasuara në studimin e Fondacionit Bertelsmann. Autorët e studimit theksojnë se gjendja e mirë ekonomike e Zvicrës ndikon në integrimin e shpejt të të huajve, përfshirë edhe myslimanët. Ekonomia prosperuese lehtëson integrimin, Po ashtu edhe sistemi dual arsimor – që në fund të shkollës fillore bëhet seleksionimi i nxënësve: shumica dërgohen në ndërmarrje të ndryshme për të nxënë një profesion, vetëm një pakicë arrin të futet në gjimnaz. Ata që mësojnë një zanat nuk i kanë rrugët e mbyllura nëse duan të studiojnë.

Ndonëse në Zvicër Partia Popullore (SVP) prej vitesh zhvillon një fushatë shpesh të egër kundër të huajve (zezakëve, myslimanëve, shqiptarëve), duket se raporti mes vendasve dhe të huajve është i shtendosur: në anketën e Bertelsmann 17 për qind e zviceranëve janë deklaruar se nuk duan të kenë fqinj myslimanët. Në Britaninë e Madhe janë 21 për qind, në Austri madje 28 për qind. Në krahasim me vendet e tjera myslimanët e Zvicrës potencojnë lidhshmërinë me «atdheun e ri». Duket se as ndalimi i ndërtimit të minareve në Zvicër nuk e ka turbulluar entuziazmin për këtë vend në mesin e myslimanëve.

Studimi i fondacionit gjerman Bertelsmann tregon se myslimanët e Zvicrës kanë dukshëm më shumë kontakte me persona të feve të tjera. Te tri të katërtat e të anketuarve së paku gjysma e miqve janë të krishterë apo ateistë. Sipas studimit vetëm një pjesë e vogël e myslimanëve të Zvicrës janë tepër religjiozë. Kjo shpjegohet me faktin se vendet e Ballkanit janë më shumë të sekularizuara se shtetet e Afrikës veriore.