Zvicra frenon imigrimin, por popullistëve kjo nuk u mjafton

Parlamenti zviceran ka vendosur të kufizojë imigrimin nga vendet e BE-së, por partia populliste SVP kërkon prishjen e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të Personave.

Parlamenti zviceran në Bernë me alpet në prapavijë. Foto: Shutterstock



Pas një polemike gati trevjeçare mbi rregullimin e raporteve të Zvicrës me Bashkimin Europian, parlamenti zviceran ka miratuar të premten me shumicë një ligj, i cili pritet të kufizojë imigrimin në këtë vend. Në shkurt të vitit 2014 zviceranët votuan në referendum për iniciativën e Partisë Popullore të Zvicrës (SVP) «kundër imigrimit masiv». Qëllimi i iniciativës ishte të ngre barriera kundër numrit gjithnjë e më të madh të qytetarëve të BE-së, të cilët imigrojnë në Zvicër. Iniciativa kërkonte që imigrimi të rregullohet përmes kontingjenteve. Por iniciativa e SVP-së ishte në kundërshtim me Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë të Personave.

Shpjeguar thjeshtë kjo marrëveshje, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2007, parasheh që Zvicra të hap tregun e punës për shtetas të vendeve anëtare të BE-së dhe – në anën tjetër – Zvicra të ketë qasje pothuaj të plotë në tregun e përbashkët të BE-së – ndonëse ky vend refuzon të jetë anëtar i BE-së.

Pas miratimit të iniciativës së SVP-së Bashkimi Europian bëri të qartë se nuk do të bënte asnjë kompromis në Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë të Personave. Duke mos dashur të rrezikojë prishjen e marrëveshjes me Brukselin, parlamenti zviceran vendosi të gjejë një rrugëdalje nga ky qorrsokak. Në vend të kontingjenteve për punëtorë të huaj, siç kërkonte nisma e SVP-së, në të ardhmen shtetasit zviceranë, të cilët janë duke kërkuar punë, do të trajtohen në mënyrë të privilegjuar përballë personave punëkërkues nga BE. Por ky rregull vlen vetëm për profesione të prekura nga papunësia e madhe. Me një fjalë: Zvicra ka lëshuar pe ndaj BE-së, e cila është në pozitë më të fuqishme.

Popullistët e SVP-së, të cilët që nga fillimi i viteve ’90 kundërshtojnë afrimin me BE-në, kanë protestuar me pankarta në parlament kundër «kapitullimit» para Brukselit. Ligji i miratuar të premten nga parlamenti «shkel vullnetin e popullit», tha një përfaqësues i SVP-së. «Aksioni për një Zvicër të pavarur dhe neutrale», një organizatë joqeveritare e afër me SVP-në, ka paralajmëruar mbledhjen e nënshkrimeve për lansimin e një iniciative për prishjen e Marrëveshjes për Lëvizjen e Lirë të Personave. Kjo organizatë ka thënë se nuk do të lejohet që Zvicra të bëhet koloni e BE-së. Raporti më BE-në do të jetë temë mbizotëruese në politikën zvicerane deri në vitin 2019, kur do të mbahen zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Për partitë e majta dhe liberale është e qartë se Zvicra nuk mund të bllokojë imigrimin nga BE dhe të presë që BE edhe më tutje do të lejojë ndërmarrjet zvicerane të kenë qasje në tregun e përbashkët të BE-së, duke siguruar kështu përfitime të mëdha. Shumë deputetë realistë në debate publike thonë se Zvicra nuk është në situatë të marrë «piten dhe kulaçin», ndërsa Brukselit të mos i jap asgjë. (-lli)