Zvicra dhe Europa

Kryeneçësia mund të jetë e rrezikshme. Kush qëndron pranë të vetes me kokëfortësi, ai mbyllet në vetvete nga rrjedha e jetës. Në fund vyshket. Megjithatë, ata që predikojnë vetminë politike duket se sot gëzojnë simpatinë e zviceranëve të pasigurt. Popullizmi i djathtë aktualisht në Zvicër po e ngre kokën me krenari.

Foto: Shutterstock



Nga jashtë nganjëherë mund të duket sikur Zvicra e vogël është vend kryeneç dhe egoist, i cili mendon vetëm për veten dhe ngurron të mbajë kontakte madje edhe me fqinjët më të afërt. Është e vërtetë: neve zviceranëve historia nuk na ka përzgjedhur dhe nuk na ka formuar për të qenë aventurierë mendjelehtë dhe pushtues të vendeve të huaja. Çka duket si superfuqi neve më shumë na tremb. Në vokabularin helvetik centralizmi është fjalë e urryer. Ne s’kemi qejf t’i dorëzojmë kompetencat, para së gjithash jo në instanca më të larta. Çfarë mund ta kryejmë vetë, nuk e delegojmë. Për këtë arsye ekziston një mosbesim i lindur kundër administratorëve të pushtetit. Në radhë të parë nuk janë vendimtare bindjet e politikanëve dhe të opinionistëve. Vendimtare është se për cilën zgjidhje do të arrini të keni shumicën në vendvotime gjatë referendumeve. Nganjëherë mund të duket sikur zviceranët janë europianë jobashkëpunues dhe të vetëkënaqur, thua se janë specializuar për të administruar dhe shumuar paratë e atyre që i shmangen tatimeve. Kjo është një përshtypje bukur e gabuar. Në disa aspekte Zvicra është më e integruar në Europë se disa vende që i përkasin Bashkimit Europian. Ekonomia e Zvicrës nuk është trup i huaj në mjedisin europian. Kultura nuk është fare e tillë. Për kulturën, artin, shkëmbimin e ideve dhe zbulimeve kufijtë e vendit janë pengese lehtë e kalueshme. Artistet dhe artistët e kanë ditur këtë përherë, andaj edhe e kanë praktikuar. Pakënaqësia e tyre konstitucionale me atë që ekziston në nivel lokal i ka shtyrë ata gjithmonë përtej vendit të tyre dhe përtej kufijve. Nga ana tjetër: artistet dhe artistët kureshtja i ka joshur edhe në Zvicër prej shekujsh. Diversiteti gjuhësor i Zvicrës, i cili nuk lejoi fare një kulturë të unifikuar, në rrjedhën e shekujve është bërë hapësirë takimi për njerëz të orientimeve të ndryshme. Merreni me mend se njerëz si Voltaire, Büchner, Bakunin, Strawinsky, Nabokov apo Canetti kanë ardhur në Zvicër: më atë çfarë ishin, ata e kanë hapur vendin, e kanë bërë më europian, kanë stimuluar qarkullimin e mendimeve dhe vizioneve. Edhe përmes tyre vendi është bërë ndryshe dhe po ashtu edhe vend «i tyre».

Kryeneçësia mund të jetë e rrezikshme. Kush qëndron pranë të vetes me kokëfortësi, ai mbyllet në vetvete nga rrjedha e jetës. Në fund vyshket. Megjithatë, ata që predikojnë vetminë politike duket se sot gëzojnë simpatinë e zviceranëve të pasigurt. Popullizmi i djathtë aktualisht në Zvicër po e ngre kokën me krenari. Ajo parti, e cila nuk ngurron që me propagandën e saj t’i kriminalizojë si dele të zeza grupet e të huajve, të cilët nuk kanë çka kërkojnë në viset helvetike dhe më mirë sot se nesër duhet të dëbohen në atdheun e tyre të mëparshëm, po hasë në jehonë pozitive dhe po gjen përkrahës. Nuk ngurrohet që në fushatat politike për referendume të përdoren imazhe qartësisht raciste dhe të tregohen krahë dhe duar të ngjyrave të tjera të lëkurës, të cilët pangopshëm kapin pasaportën zvicerane. Nuk ngurrohet që rastet individuale dhe për të ardhur keq të integrimit të pasuksesshëm dhe veprimet kriminale të stilizohen si kërcënim i përgjithshëm dhe kësisoj në mënyrë të hapur të nxiten paragjykime nacionale dhe raciste. Tonet e neveritshme kundër të huajve ndërkohë po dëgjohen qartë edhe në Zvicër. Ata që përçojnë tone të tilla sillen jo pa dëshirë si patriotë shembullorë dhe demokratë, madje edhe si «zëri i popullit».

Përktheu: E. Robelli 

(Iso Camartin, i lindur më 1944, është kulturolog, filozof dhe shkrimtar. Profesor shumëvjeçar i letërsisë retoromane në Universitetin e Zürichut, Camartin është një Homme des Lettres, një iluminist i pasionuar dhe çmontues mitesh. Ai u rrit në Disentis, ku ndoqi Gjimnazin Humanist në një manastir. Nga viti 1965 studioi filozofinë dhe romanistikën në München, Bolonjë dhe Regensburg. Promovoi më 1971 me një studim për Johann Gottlieb Fichten dhe Immanuel Kantin. Mes viteve 2000-2003 ai drejtoi sektorin e kulturës të televizionit të Zvicrës. Teksti i mësipërm është pjesë e librit të Camartin mbi Zvicrën. Në ditët në vijim dialogplus do të sjellë pjesë të tjera të këtij libri, i cili përmban një shpjegim mahnitës për Zvicrën).