Zvicra dëshiron të blejë avionë luftarakë dhe raketa në vlerë prej 9 miliardë franga

Në tenderin për blerjen e avionëve luftarakë pritet të marrin pjesë jo vetëm firmat që prodhojnë avionët e markës Gripen, Eurofighter, Rafale, por edhe prodhuesit amerikanë Lockheed Martin dhe Boeing.

Avion luftarak F-35.



Ministri zviceran i mbrojtjes Guy Parmelin po kërkon 9 miliardë franga për të blerë 30 deri 40 avionë luftarakë. Këta avionë pritet të zëvendësojnë avionët luftarakë F/A-18, të cilët janë në përdorim nga viti 1997. Parmelin planifikon të blejë edhe një sistem raketor për mbrojtje ajrore. Paratë pritet të investohen mes viteve 2023 dhe 2032.

Ministri ka kërkuar që në tenderin për blerjen e avionëve luftarakë të marrin pjesë jo vetëm firmat që prodhojnë avionët e markës Gripen, Eurofighter, Rafale, por edhe prodhuesit amerikanë Lockheed Martin dhe Boeing. Në mediat zvicerane është theksuar se avioni luftarak amerikan F-35 tejkalon mundësitë financiare të Zvicrës. Në debatet për blerjen e avionëve të rinj luftarakë oficerët e lartë të armatës zvicerane kanë kërkuar opsionin më të shtrenjtë – 70 avionë luftarakë për 18 miliardë franga.

Se a do të blejë apo jo Zvicra avionë të rinj luftarakë nuk do të vendosë vetëm qeveria, por edhe populli. Vëzhguesit politikë llogarisin se për këtë do të organizohet një referendum. (dp)