Zvicerania që shëron plagët e luftës

[Best_Wordpress_Gallery id=”42″ gal_title=”Schneller”]

Annelies Schneller me dy duart e saj të vogla ka bërë për Kosovën atë që pakkush mund ta bëjë. Që prej pasluftës ajo ka ndihmuar në shërimin dhe rehabilitimin fizik dhe shpirtëror të qindra invalidëve të luftës.

Teksti dhe fotot Adriana KABASHI

Këtyre ditëve vere, në Kamp Ishullin në Lezhë, Annelies Schneller i ka hapur dyert e shtëpisë së ngritur për gjithë miqtë e saj, për invalidët e luftës së Kosovës dhe për anëtarët e familjeve të tyre. Ka dhjetë vjet që ajo këtu mbledh ish-ushtarët, tani invalidë të luftës, dhe ndihmon në rehabilitimin e tyre.

Annelies thotë se ky kamp lindi si nevojë për qetësi dhe liri për t’u ndier vetja. Ajo rrëfen, tani e buzëqeshur, për paragjykimet me të cilat u ballafaqua kur shkeli në bregdetin shqiptar së pari. «Unë dhe ca miq të mi, kush pa duar, kush me karrocë, pasi e gjetëm një plazh të bukur ku mund të kënaqeshim, erdhi kujdestari i plazhit dhe na tha se duhej të largoheshim, sepse njerëzit ishin ankuar, ngaqë nuk paskan mundur të relaksohen duke na parë ‹të tillë› në plazh. Atë natë qava shumë… pastaj dikush na tha për këtë vend të mrekullueshëm, ku erdhëm dhe me të cilin u dashurova në momentin e parë…» Sot, «Shqipëria e Kosova janë atdheu im i dytë», thotë Annelies.

Çdo gjë nisi me Shpëtimin

Në vitin 1999, Annelies Schneller, së bashku me Shukrije Ramadanin, e themeluan projektin «Shpresa» dhe ndihmuan shërimin në Zvicër të rreth 100 personave, kryesisht invalidë të luftës dhe bënë të mundshëm edhe integrimin e tyre të sërishëm.

«Unë jam mësuese dhe kam punuar me fëmijët refugjatë nga Kosova, prej të cilëve kam dëgjuar për të afërmit e tyre që kishin humbur këmbët, duart, ose që ishin në karrocë – të palëvizshëm. Në ato momente për mua gjithçka ishte e qartë: Kjo ishte bota ime! U preka shumë dhe vazhdoj të jem e prekur thellësisht», rrëfen Schneller, duke kujtuar edhe momente nga fëmijëria e saj kur u ballafaqua me një sëmundje të rëndë, nga e cila i humbi duart. Por, ajo tani duart e veta të vogla i konsideron si urë lidhëse me gjithë botën. «Kudo shkoj, e kam një derë të hapur», thotë Schneller, dhe vazhdon: «Pa projektin ‹Shpresa› nuk e di ku do të isha. Miqësia ime me Shukrije Ramadanin ka shumë vlerë. Ajo është motra ime, familjet tona janë aq të lidhura. Prej saj kam mësuar çfarë domethënieje ka mbështetja familjare».

Shukrije Ramadani rrëfen se si i gjeti bashkëluftëtarët e bashkëshortit të saj Agim Ramadani, që tani ishin invalidë të luftës. «Ushtarët ishin me plagë ende të hapura. Ata shpresonin se liria do t’ua shëronte plagët dhe pas luftës ndiheshin të harruar. Shpëtim Agusholli ishte i plagosur rëndë, i morëm dokumentet e tij, shokët e tij mblodhën 20’000 marka dhe e dërguam në Zvicër. Fatkeqësisht, për Shpëtimin nuk mund të bënim shumë, ai mbeti në karrocë, por paratë që mbetën ai i la për konton ‹Shpresa›, si shpresë për ushtarët e tjerë të lënduar dhe këtu nisi çdo gjë», tregon Shukrije Ramadani nismën e gjithë kësaj rruge drejt Zvicrës, ku gjetën shërim dhe një jetë të re qindra djem nga Kosova, Maqedonia, Presheva, për të cilët Annelies Schneller së bashku me familjen e saj u përkujdes pa kursyer asgjë nga vetja. Shtëpia e saj në Zvicër ishte bërë edhe shtëpia e këtyre ish-ushtarëve.

Shpëtim Agusholli, ish-ushtari me të cilin filloi gjithçka, ka dhjetë vjet që vjen rregullisht në këtë kamp pushimi në Lezhë dhe thotë se ndihet i relaksuar në mesin e bashkëluftëtarëve. «Për mua, ky kamp domethënë shumë, mjafton që i kam këtu shokët e mi dhe familjet e tyre – kemi qetësi dhe rehati».

Bedri Kukalaj, invalid i luftës, tani njëri nga pushuesit në kampin në Lezhë, thotë se është Annelies Schneller ajo që ia ka shpëtuar jetën. «Operacionet e mia kanë qenë të kushtueshme. Vetëm operacioni i dytë në Zvicër ka kushtuar 50’000 franga, e unë isha vetë i tridhjeti atje. Për ato që ka bërë Annelies për ne, mirënjohja nuk mund të shprehet vetëm me fjalë».

Edhe Blerta Rama, vajza e një ish-ushtari dhe invalidi të luftës, tani i ndjerë, Isni Rama, ka vazhduar të jetë pjesëmarrëse në këtë kamp dhe t’u ndihmojë bashkëluftëtarëve të babait si mjeke e kampit. Ajo thotë se prej tyre ka mësuar se sa e vlefshme është jeta dhe se si duhet jetuar atë në tërë plotëninë e saj.

Ish-ushtarët e falënderojnë Diasporën

Shukrije Ramadani, e cila po ashtu ka qëndruar këto ditë në Kampin në Lezhë, nuk harron të përmendë se shumicën e mjeteve për projektin «Shpresa», nga i cili u shëruan dhe rehabilituan qindra djem e vajza, i kanë mbledhur bashkatdhetarët nëpër botë. Ajo theksoi se edhe pas operacioneve të shumta dhe rehabilitimit fizik, këta ish-ushtarë kishin nevojë edhe për rehabilitim shpirtëror. Se ky kamp organizohet prej dhjetë vjetësh, ai ua ofron këtyre ish-ushtarëve qetësinë dhe rehatinë që nuk mund ta gjejnë në Kosovë. Ndërkohë që fondet për këtë organizim mungonin, në ndihmë Kampit «Shpresa» i dolën sërish bashkatdhetarët. Zonja Ramadani me këtë rast veçoi mjetet që ka ndarë afaristi dhe botuesi i revistës «dialogplus» në Zvicër, Arif Sulejmani: «Tani fondi është pakësuar, kështu që edhe një herë dua ta falënderoj z. Sulejmani dhe të gjithë bashkatdhetarët për ato që kanë bërë dhe po bëjnë për këta njerëz».

Ferat Ademaj, ish-ushtar dhe invalid i luftës, në Kampin në Lezhë po qëndron me gruan dhe katër fëmijët e tij të lindur pas luftës. «Kjo zvicerane ka bërë aq shumë për ne, ndërsa qeveria jonë as nuk e ka idenë se si kam mbijetuar dhe ku kam jetuar. Kjo është e pafalshme», shprehet Ademaj, i cili falë operacioneve të suksesshme, të kryera në Zvicër, tani mund të shkojë në punë dhe ta bëjë një jetë normale. Ai nuk harron t’i falënderojë edhe bashkëkombësit që mblodhën shumat e nevojshme të parave për shërimin dhe rehabilitimin e tyre.

Kampi «Shpresa» është ngritur në vitin 2003, ku në fillim mblidheshin vetëm ish-ushtarët, tani invalidë të luftës. Më pas ata filluan të vinin me familjet e tyre – në fillim vetëm me gratë, e vitin tjetër edhe me fëmijët. Annelies Schneller thotë se ata në fillim kishin aq shumë nevojë të flitnin për luftën dhe traumat e luftës: «Tani them se më mirë që nuk e dija gjuhën shqipe aq mirë në atë kohë, sepse ishte tepër e rëndë, madje edhe për mua. Një vit më vonë erdhën më shumë, disa prej tyre me gratë dhe tani janë me fëmijët e tyre. Sot e festojmë dhjetëvjetorin e Kampit si një familje e madhe».

Annelies Schnneller, kjo mike e kosovarëve, e cila për vete thotë se ka shtëpi në të gjitha vendet e botës, duket se e ka realizuar atë që të gjithë ne e njohim vetëm si ide: është pasuria shpirtërore ajo që na bënë të mëdhenj si njerëz, se është ndihma dhënë tjetrit ajo që na bënë të lumtur.

Këto ditë vere, buzë detit në Lezhë, kjo familje e madhe e festoi dhjetëvjetorin e Kampit të tyre, por edhe ditën e pavarësisë së vendit prej nga vjen Schneller, Zvicrës. Ndërsa vetë ajo me tingujt e panflautës i përkujtoi miqtë e saj, Sedatin, Hamdiun dhe Isniun…[Best_Wordpress_Gallery id=”42″ gal_title=”Schneller”]

Këto ditë vere, buzë detit në Lezhë, kjo familje e madhe e festoi dhjetëvjetorin e Kampit të tyre, por edhe ditën e pavarësisë së vendit prej nga vjen Schneller, Zvicrës. Ndërsa vetë ajo me tingujt e panflautës i përkujtoi miqtë e saj, Sedatin, Hamdiun dhe Isniun…