Zviceranët lejojnë përgjimin elektronik nga shërbimi sekret

Para një vitit parlamenti zviceran miratoi një ligj i cili i jep më shumë kompetenca shërbimit sekret. Të dielën qytetarët e pranuan këtë ligj në referendum.

Nevoja për siguri është trend politik i çastit. Ilustrim (nga Shutterstock) mbi votimet në Zvicër.

Sulmet terroriste në Francë, Belgjikë edhe Gjermani kanë sensibilizuar qytetarët zviceranë rreth temave të sigurisë. Kjo u pa të dielën, kur qytetarët e Zvicrës votuan një ligj, i cili i jep shërbimit sekret (NDB) më shumë kompetenca për të penguar sulmet e mundshme terroriste. Ligji ishte miratuar një vit më parë nga parlamenti. 65,5 për qind e votuesve zviceranë e pranuan tani këtë ligj.

Shërbimi sekret zviceran në të ardhmen do të ketë të drejtë që në rast dyshimi të përgjojë telefona, të vendosë mjete përgjimi në banesa dhe të spiunojë kompjuterë. Për këtë lloj mbikëqyrjeje dhe për çdo rast të veçantë leja duhet të merret nga qeveria dhe Gjykata më e lartë administrative e Zvicrës.

Kundërshtarët e ligjit thanë para referendumit se zgjerimi i kompetencave të shërbimit sekret do të hapte rrugën drejt një «shteti përgjues». Përkrahësit e ligjit, ndërkaq, argumentojnë se shërbimi sekret përmes ligjit të ri ka mundësi të pengojë me kohë sulmet terroriste.

Përveç mbi ligjin e ri për shërbimin sekret zviceranët votuan edhe për një nismë të sindikatave e cila kërkonte rritjen e pensioneve për 10 për qind. 60 për qind e votuesve e hodhën poshtë këtë iniciativë. Partia e Gjelbër dështoi me nismën për një ristrukturim ekologjik të ekonomisë.

Në lidhje me ligjin për shërbimin sekret gazeta «Tages Anzeiger» në një koment nënvizoi: «Siguria është nocioni kyç i këtij referendumi. Nevoja për siguri është trend politik i çastit. Rezultati i qartë tregon se njerëzit kanë frikë se terroristi i ardhshëm nuk do ta ndez bombën e tij në Paris apo München, por në Zürich apo Gjenevë – një frikë që gjithsesi ka një sfond real. Kësisoj referendumi dëshmoi se në rrethanat aktuale nuk mund të fitosh me mbrojtjen e sferës private – ky ishte edhe argumenti kryesor i kundërshtarëve të ligjit. Por kjo nuk është befasuese në një kohë kur njerëzit vullnetarisht po i shpërndajnë vullnetarisht nëpër botë – përmes Facebookut dhe mediave të tjera sociale – edhe informacionet më intime». (-lli)