«Zviceranët e rinj» vijnë nga Ballkani

Shtetasit e vendeve të Ballkanit prijnë me kërkesa për të marrë pasaportën zvicerane. Në këtë «garë» kosovarët janë të parët.

Foto: Shutterstock



Sipas statistikave të fundit në Zvicër gati një milion shtetas të huaj i plotësojnë kushtet për marrë shtetësinë helvetike. Por vetëm një pakicë është e interesuar të ketë pasaportë zvicerane. Arsyeja: pasaporta zvicerane nuk u sjell ndonjë përparësi shtetasve gjermanë apo italianë, të cilët përbëjnë dy komunitete të mëdha në Zvicër. Kush ka pasaportë italiane apo gjermane, për të pasaporta e kuqe zvicerane nuk duket atraktive.

Por pasaporta e kuqe me kryq të bardhë është shumë e kërkuar nga shtetasit e vendeve të Ballkanit. Nga dhjetori 2015 deri në nëntor 2016 shtetësinë zvicerane e kanë marrë 44 mijë persona. Prej tyre 24 mijë vijnë nga shtetet e BE-së dhe EFTA-s, 20 mijë nga vendet e tjera, më së shumti nga Ballkani. Në periudhën e përmendur shtetësinë zvicerane e kanë marrë 3500 kosovarë, nga 1600 shtetas të Serbisë dhe Maqedonisë dhe 1050 nga Bosnjë-Hercegovina. Nëse llogariten së bashku, atëherë shtetasit e vendeve të Ballkanit prijnë me kërkesa për shtetësi – para italianëve (5400), gjermanëve (4900) dhe portugezëve (4500). Në shkurt në Zvicër do të mbahet një referendum për lehtësimin e procesit të dhënies së shtetësisë të huajve të gjeneratës së tretë. (-lli)