Zviceranët dhurojnë mijëra franga për denoncuesin e keqpërdorimeve

Adam Quadroni ka treguar për mediat zvicerane se firmat ndërtimore të kantonit Graubünden kanë kurdisur tenderë. Për këtë ai është përbuzur nga rrethi, ndërmarrja e tij ka falimentuar dhe është i papunë. Brenda një jave zviceranët kanë dhuruar gati 170 mijë franga për të përkrahur Quadronin.

Adam Quadroni. Foto: SRF



Adam Quadroni është «Whistleblower». Në shqip kjo fjalë domethënë: sinjalizues. Sinjalizuesi është një zyrtar apo person privat, i cili denoncon keqpërdorimet – për shembull: korrupsion, ryshfetdhënie, shkelje ligji, kurdisje tenderësh, afera, skandale. Sinjalizuesit shpesh rrezikojnë, sepse në shumë vende nuk janë të mbrojtur nga ligji. Në rastin më të keq mund të humbin vendin e punës, ta zëmë për shkak të bërjes publike të sekreteve zyrtare. Në disa vende europiane ka përpjekje për të rregulluar me ligj mbrojtjen e sinjalizuesve.

Adam Quadroni ka zbuluar një skandal të madh në Zvicër. Si shef i një firme ndërtimore në kantonin Graubünden ai ka qenë i njoftuar nga afër se tenderët për projekte infrastrukturore po kurdiseshin dhe ndaheshin mes firmave me marrëveshje paraprake. Kjo metodë me gjasë ka funksionuar me vite të tëra dhe i ka shkaktuar dëm buxhetit të kantonit. Adam Quadroni vendosi të denoncojë këto keqpërdorime. Ai ka folur për mediat dhe kësisoj për skandalin e firmave ndërtimore nga kantoni Graubünden është njoftuar mbarë opinioni zviceran. Presioni mbi politikën, drejtësinë dhe agjencinë e konkurrencës është rritur.

Por Adam Quadroni ka paguar një çmim të shtrenjtë për guximin e tij. Në Graubünden shumë njerëz, sidomos ata që kanë përfituar nga kurdisja e tenderëve, e konsiderojnë atë si «tradhtar», ndërmarrja e tij ka falimentuar, ai ka mbetur pa punë – dhe krahas të gjitha këtyre problemeve atë e ka braktisur gruaja me tri vajzat e tyre. Që nga viti 2017 Quadroni po përpiqet që të sigurojë të drejtën ligjore për të takuar fëmijët.

Për të përkrahur sinjalizuesin Quadronin, një student zviceran ka lansuar një aksion për mbledhjen e parave. Brenda një jave për sinjalizuesin zviceran janë dhuruar në platformën Wemakeit gati 170 mijë franga. Ky është një rekord i paparë deri më tani në mbrojtjen e sinjalizuesve në Zvicër. Deri të shtunën në mbrëmje 1483 persona kanë dhuruar para për Adam Quadronin. Në aksionin e përkrahjes së sinjalizuesit është kyçu edhe Giusep Nay, ish-kryetar i Gjykatës Federale të Zvicrës. Nay do të kontrollojë përdorimin e mjeteve financiare. Ndërkohë po mendohet në themelimin e një fondacioni për mbrojtjen e sinjalizuesve. (dp)