Zvicër: qytetarët me shtetësi të dyfishtë nuk janë të rrezikshëm!

Në kuadër të fushatës kundër të huajve Partia Popullore e Zvicrës (SVP) po kërkon që të huajt që duan të marrin pasaportën helvetike duhet të heqin dorë nga shtetësia e vendit të prejardhjes. Dy ekspertë nga Universiteti i Luzernit e kundërshtojnë ashpër këtë kërkesë populliste.

Foto: Shutterstock.com



Për zviceranët janë disa gjëra të shenjta. Kodrat, çokollatat, orët, lopët – dhe pasaporta zvicerane. Sipas Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), grupi më i madh politik i vendit, kriteret për marrjen e pasaportës zvicerane duhet të ashpërsohen. Kësisoj zviceran do të bëheshin vetëm ata të huaj që demonstrojnë lojalitet të padyshimtë ndaj vendit. Në prag të zgjedhjeve parlamentare, të cilat mbahen më 18 tetor, SVP ka propozuar që të ndalohet pasja e shtetësisë së dyfishtë. Domethënë: një shqiptar i Kosovës apo Maqedonisë, i cili kërkon të marrë shtetësinë e Zvicrës, do të duhej paraprakisht të hiqte dorë nga pasaporta e Kosovës apo Maqedonisë. Politikanë të SVP-së theksojnë se shtetësia e dyfishtë pengon integrimin e të huajve në Zvicër dhe paraqet probleme lojaliteti sidomos në ushtri dhe në shërbimin diplomatik. Shumica e partive politike të Zvicrës kanë kundërshtuar këtë nismë, duke tërhequr vërejtjen se nga një masë e tillë eventuale do të goditeshin jo vetëm të huajt, por edhe mijëra zviceranë, të cilët jetojnë në botën e jashtme dhe mbajnë pasaporta të vendeve nikoqire.
Deri nga mesi i shekullit 20-të shtetësia e dyfishtë nuk ishte e njohur në të drejtën ndërkombëtare, por sidomos në dy dekadat e fundit situata ka ndryshuar radikalisht. Që nga viti 1992 Zvicra pranon shtetësinë e dyfishtë. Sot 10 për qind e të gjithë zviceranëve dhe gati 75 për qind e zviceranëve me banim në botën e jashtme disponojnë me një pasaportë të dytë.
Politologët Joachim Blatter dhe Andrea Schlenker nga Universiteti i Luzernit shkruajnë në një artikull në «Neue Zürcher Zeitung» se kërkesa e SVP-së rrezikon statusin e zviceranëve në botën e jashtme. Po ashtu ata theksojnë se qytetarët me shtetësi të dyfishtë janë dukshëm më aktivë dhe ndihen më shumë të lidhur me Zvicrën se sa të huajt pa pasaportë zvicerane që jetojnë në Zvicër. Qytetarët me shtetësi të dyfishtë nuk interesohen më pak për politikën se zviceranët, ata marrin pjesë në jetën politike dhe në vendimmarrje dhe ndihen si pjesë e Zvicrës. Blatter dhe Schlenker nënvizojnë se konstatimet e tyre bazohen në rezultatet e një ankete në kuadër të hulumtimeve të Universitetit të Luzernit në Zvicrën qendrore. Anketa tregon se qytetarët me shtetësi të dyfishtë nuk e rrezikojnë participimin demokratik dhe lojalitetin ndaj Zvicrës. Autorët shpjegojnë se ata të huaj me shtetësi zvicerane që angazhohen politikisht në Zvicër, janë të gatshëm të ndihmojnë të participojnë edhe në politikën e shtetit të origjinës. «Lojalitetet transnacionale nuk paraqesin rrezik për demokracinë kombëtare, por e pasurojnë atë», shkruajnë Blatter dhe Schlenker. Studimet empirike kanë treguar se kur të huajt kanë mundësi të mbajnë pasaportën e vendit të origjinës, ata janë më shumë të gatshëm t’i nënshtrohen procesit të natyralizimit në Zvicër. Ky motivim do të ulej nëse do të pranohej nisma e SVP-së. -lli