Zvicër: Prokuroria kërkon 11 vjet burg për personin që i dërgoi një granatë ruse gazetës «Bota sot»

Dërguesi i një pakoje me granatë ka kërkuar të lirohet nga akuzat.

Ilustrimi: Shutterstock



Para Gjykatës Penale të Konfederatës së Zvicrës në Bellinzona këtë javë ka dalë Jeton Lleshi, një shqiptar me origjinë nga Struga dhe me shtetësi zvicerane, i cili akuzohet se më 2002 i ka dërguar gazetës «Bota sot» një granatë, e cila fatmirësisht nuk kishte shpërthyer për shkak se botuesit e gazetës e kishin hapur anash.

Prokuroria ka kërkuar që i dyshuari për dërgimin e granatës të dënohet me 11 vjet burg. Avokati ka kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuzat.

Para trupit gjykues i akuzuari ka thënë se duke ia dërguar granatën gazetës dëshironte t’i jepte një leksion redaksisë, e cila botonte tekste mjaft kritike kundër të ashtuquajturit «krah i luftës» në Kosovë. Ky grup komandantësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës akuzohej për vrasje të rivalëve politikë dhe për krime të tjera të rënda. I akuzuari tha se nuk e kishte pasur qëllimin të dëmtojë fizikisht botuesit e gazetës. Ai shtoi se gazeta paskësh botuar tekste në të cilat tregoheshin rrugët nëpër të cilat iknin refugjatët nga Kosova. Për pasojë, sipas tij, në Kosovë ishin kryer masakra nga forcat serbe.

Prokurori i hodhi poshtë arsyetimet e dërguesit të granatës, duke i quajtur deklarata sa për të mbrojtur veten. Sipas prokurorit janë plotësuar parakushtet që vepra e tij të kualifikohet si përpjekje e shumëfishtë për vrasje. Sjelljen e të akuzuarit ai e quajti perfide.

I akuzuari është arrestuar vitin e kaluar rastësisht, pas një përleshjeje fizike në një diskotekë të Zürichut. Me rastin e arrestimit te i akuzuari është konfiskuar edhe një revole. Për armëmbajtje pa leje prokurori ka kërkuar një gjobë.

I akuzuari tha se vepra e tij ishte individuale dhe se pas tij nuk qëndronte askush tjetër. Por botuesi i gazetës «Bota sot» deklaroi para gjykatës se pas dërguesit qëndronin qarqe majtiste në Kosovë. Vendimi i gjykatës për këtë rast pritet të shpallet në shtator. (dp)