Zvicër: partitë, paratë dhe mungesa e transparencës

Aktivistët kundër korrupsionit në Zvicër po kërkojnë që partitë politike të deklarojnë se nga i marrin donacionet. Një iniciativë e re synon të krijojë transparencë, por partitë refuzojnë.

Foto: Shutterstock



Ka shumë arsye për të lavdëruar demokracinë e Zvicrës: stabile, efikase, funksionalë dhe me administratë të kualifikuar. Qeveria e Zvicrës i ka vetëm shtatë ministra, shumica prej tyre ecin pa truproje. Kur populli nuk është i kënaqur me ndonjë ligj apo projekt të qeverisë, ekziston mundësia e referendumit: votuesit kanë mundësi të votojnë për opsionin që u duken më i mirë.

Por, edhe në demokracinë zvicerane jo gjithçka që shkëlqen është flori. Partitë politike dhe komitetet për organizimin e referendumeve nuk janë të obliguara të publikojnë të ardhurat e tyre. Rrjedhimisht, populli nuk e di sa milionë ia paguan partisë së tij pasaniku popullist Christoph Blocher. Edhe partitë e tjera refuzojnë të tregojnë se kush janë donatorët e tyre. Nëse një komitet synon të bllokojë ndërtimin e një stadiumi të futbollit, opinioni nuk e di se prej nga i merr paratë ky komitet për të organizuar fushatën.

Kjo gjendje pritet të marrë fund. Në fillim të javës në Bernë është dorëzuar një iniciativë me mbi 100 mijë nënshkrime, e cila kërkon më shumë transparencë në financimin e partive. Zvicra është vendi i vetëm në Europë që nuk e ka rregulluar këtë çështje, andaj kritikohet shpesh nga Këshilli i Europës dhe nga Transparency International. Iniciativa për më shumë transparencë është dorëzuar nga socialdemokratët, të gjelbërit dhe partia e qendrës BDP. Iniciativa kërkon që partitë duhet t’i bëjnë transparente donacionet prej më shumë se 10 mijë franga (rreth 8700 euro).

Kundër transparencës janë partia liberale FDP, kristiandemokratë CVP dhe Partia Popullore SVP. Qëndrimin e tyre këto parti e argumentojnë me të drejtën e donatorëve për të qenë anonimë. Shumica prej tyre, sipas kësaj pikëpamjeje, janë donatorë të disa partive dhe nuk do të donin që kjo të bëhet publike.
E.R.