Zvicër: Një shqiptar organizon koncert me reperë antisemitë

Një pronar shqiptar i një autoshkolle në Schaffhausen të Zvicrës po planifikon të organizojë më 5 maj një koncert me dy reperë gjermano-marokenë, të cilët këndojnë këngë antisemite. Në koncert janë ftuar edhe Sabri Fejzullahu, Leonora Jakupi dhe Meda. Kundër koncertit kanë protestuar disa politikanë zviceranë, të cilët janë të shqetësuar që në Zvicër synohet të mbahet një koncert që përqesh viktimat e kampit të shfarosjes në Auschwitz, ku nazistët vranë mbi 1,1 milionë njerëz, shumica hebrenj.

Reperi gjerman Kollegah (emri civil Felix Blume) dhe reperi me origjinë marokene Farid Bang (emri civil Farid Hamed El Abdellaoui).



Reperi gjerman Kollegah (emri civil Felix Blume) dhe reperi me origjinë marokene Farid Bang (emri civil Farid Hamed El Abdellaoui) janë dy artistë tejet të dyshimtë. Me tekstet e tyre ata shpesh ngjallin zemërimin e opinionit në Gjermani, Zvicër dhe gjetiu. Së fundi Kollegah dhe Farid Bang kanë fituar çmimin «Echo» në Gjermani për albumin e tyre «Jung, Brutal, Gutaussehend 3» (I ri, brutal, i bukur 3». Ky album përmban vargje antisemite si «Trupi im më i definuar se ai i të burgosurve të Auschwitzit» dhe «Bëje edhe një Holokaust, hajde me mollotov». Po ashtu albumi përmban edhe tekste kundër grave, refugjatëve, homoseksualëve dhe invalidëve.

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Në shenjë proteste kundër ndarjes së çmimit «Echo» duetit të reperëve Kollegah dhe Farid Bang disa artistë në Gjermani e kanë kthyer çmimin «Echo». Në Poloninë e okupuar nazistët gjermanë më 1940 hapën kampin e Auschwitzit, ku deri më 1945 u shfarosën së paku 1,1 milionë njerëz, prej tyre rreth 1 milion hebrenj. Një pjesë e madhe e të burgosurve të Auschwitzit u vranë në dhoma gazi. Krahasimi i trupave muskuloz të reperëve me trupat e të burgosurve të Auschwitzit ka ngjallur zemërimin e mediave dhe të opinionit në Gjermani dhe në Zvicër.

Skandali ka marrë përmasa më të gjera pas njoftimit në mediat zvicerane se Kollegah dhe Farid Bang do të marrin pjesë në një «festival shqiptar» («Albanian Festival») më 5 maj në qytetin e Schaffhausenit në kufi me Gjermaninë. Koncerti do të organizohet nga një person me emrin Beslim Memishi, i cili është pronar i një autoshkolle në Schaffhausen. Kundër këtij koncerti janë deklaruar me një letër publike disa politikanë zviceranë, mes tyre edhe deputetë si dhe kryetari i Partisë Demokristiane të Zvicrës Gerhard Pfister. Ata kanë thënë se kjo muzikë antisemite, e cila lëndon ndjenjat e viktimave të nazizmit, nuk duhet të ketë vend në Zvicër. Në letër ata i bëjnë thirrje Beslim Memishit dhe pronarit të sallës, Giorgio Behr, që të mos i ftojnë reperët Kollegah dhe Farid Bang. Salla ku parashihet të mbahet koncerti quhet «BBC Arena». Behr ka thënë se ai është vetëm qiradhënës dhe nuk mund ta ndalojë koncertin, ndërsa Beslim Memishi nuk është përgjigjur në thirrjet telefonike.

NDALOHET RIBOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Memishi ka hapur një webfaqe (albanian-festival.ch), ku ofron të dhëna për koncertin e 5 majit. Krahas dy reperëve antisemitë dhe racistë, Memishi si pjesëmarrës i ka paralajmëruar edhe këngëtarët Sabri Fejzullahu, Leonora Jakupi, Meda, Altin Marku dhe Shoqatën Rinia Singen (Gjermani). Sipas webfaqes me paratë e tubuara nga biletat e koncertit do të përkrahen familjet e varfra. Me një gjermanishte të çalë theksohet se paratë e çdo bilete shkojnë në «Fondacionin tonë Kuq e Zi» dhe «donacioni shkon drejtpërdrejtë te familjet». Në webfaqe nuk ka më shumë të dhëna se kush qëndron pas «Fondacionit Kuq e Zi». Autoritetet e qytetit të Schaffhausenit kanë paralajmëruar se nëse në koncert do të ketë thirrje për dhunë, atëherë mund të ndërhyjë policia në bazë të kompetencave ligjore. Kundër teksteve të duetit të reperëve kanë protestuar edhe politikanë gjermanë. Organizimi i një koncerti të tillë nga një biznesmen shqiptar mund të ketë pasoja të rënda për imazhin e shqiptarëve jo vetëm në diasporë. (dp)