Zvicër: Kërkohet kontroll i rreptë i financave të xhamive

Pas bastisjes së një xhamie në Winterthur janë shtuar zërat për transparencë më të madhe të financave të xhamive. Dyshohet se rreth 30 xhami shqiptare financohen nga Liga Botërore Islamike, një organizatë që financohet nga Arabia Saudite.

Pamje nga bastisja e xhamisë An'Nur në Winterthur. Foto: Keystone

Javën që shkoi policia zvicerane ka bastisur xhaminë An’Nur në Winterthur afër Zürichut. Kjo xhami prej vitesh dyshohet të ketë qenë qendër e grumbullimit të fanatikëve fetarë, disa prej të cilëve madje kanë shkuar në Siri për të luftuar. Në mesin e komunitetit shqiptar në Winterthur kjo faltore quhet «xhamia e arabëve». Në të vërtetë, në këtë xhami përveç imamëve të dyshimtë nga vendet arabe apo afrikane një rol prijës kanë luajtur edhe dy shqiptarë: njëri si koordinator, tjetri si mbajtës procesverbali në kuadër të kryesisë së xhamisë.

Pas bastisjes së kryer të mërkurën janë arrestuar një imam nga Etiopia dhe kryetari i shoqatës që mban xhaminë. Imami akuzohet se gjatë një predikimi ka bërë thirrje për vrasjen e myslimanëve që nuk shkojnë në xhami. Në xhaminë An’Nur duket se janë radikalizuar disa të rinj shqiptarë, të cilët pastaj i janë bashkuar milicisë terroriste të vetëquajtur «Shteti Islamik».

Pas ngjarjeve të fundit në dhe rreth xhamisë An’Nur deputetja e Partisë Liberale (FDP) Doris Fiala ka kërkuar që autoritetet zvicerane të ashpërsojnë kontrollin e financave të xhamive. Në një prononcim për gazetën «NZZ am Sonntag» Fiala tha se tani për tani shefat e xhamive mund të operojnë me financa pa ndonjë kontroll nga ana e shtetit. Sipas saj xhamitë që marrin para nga bota e jashtme duhet të regjistrohen në regjistrin tregtar, në mënyrë që të ekzistojë një transparencë më e madhe sa i përket buxhetit të tyre.

«Situata në Zvicër është alarmante», thotë Saïda Keller-Messahli, kryetare e Forumit për islamin përparimtar. Ajo deklaroi se jo vetëm xhamia An’Nur financohet përmes kanaleve jotransparente. «Liga Botërore Islamike mbështet së paku 30 xhami shqiptare (në Zvicër). Kjo eksperte përmend xhamitë në Wallis, Basel, Gjenevë, Winterthur dhe në kantonet St. Gallen dhe Glarus. Predikuesit fetarë, të cilët në shtetet e tjera si Bosnjë apo Shqipëri gjenden në lista të imamëve radikalë, në xhamitë e këtushme (zvicerane) vazhdimisht gjejnë platforma për t’u shprehur», citohet Saïda Keller-Messahli nga «NZZ am Sonntag». Sipas saj në shumë xhami vajzat që në moshën minore mësohen të bartin shaminë dhe adaptohen në ndarjen e gjinive.

Orientalisti gjerman Christian Szyska e quan Ligën Botërore Islamike (Râbitat al-âlam al-islâmî) zëdhënëse të interesave saudite. Kjo organizatë u themelua në vitin 1962 në Mekë dhe financohet nga Arabia Saudite. Selia e saj është në Mekë dhe drejtohet nga një këshill teologësh, të cilit aktualisht i përkasin 62 anëtarë. Qëllimi kryesor i Ligës Botërore Islamike është përhapja e doktrinave të islamit, përfaqësimi i interesave të myslimanëve dhe luftimi i gjoja komploteve që minojnë unitetin e myslimanëve. Po ashtu kjo organizatë ka si qëllim «kujdesin për pakicat myslimane në Europë, Azi dhe Amerikë». Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në SHBA është zbuluar se disa nga akterët kanë shfrytëzuar infrastrukturën dhe lidhjet e Ligës Botërore Islamike. Kjo organizatë islamizimin e ligjeve dhe përkrahjen e myslimanëve në rrezik. Orientalisti Christian Szyska thekson se Ligën Botërore Islamike ka ofruar «ndihma humanitare» në Kosovë dhe Bosnjë. Sipas gazetës «Tages Anzeiger» së fundi Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër është pranuar në Organizatën Europiane të Qendrave Islamike, e cila është instrument i Ligës Botërore Islamike. Pas bastisjes së xhamisë An’Nur Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër ka lëshuar një deklaratë, ku shprehet keqardhje për situatën e krijuar, siç thuhet, në «xhaminë e arabëve».

«Ne kemi besim të plotë në autoritetet e sigurisë dhe të përndjekjes në Zvicër dhe jemi të sigurt se asnjërit nga të arrestuarit nuk do t’i bëhet padrejtësi dhe se drejtësia do ta gjejë vendin e vet. Nëse vërtetohen dyshimet ekzistuese se kjo xhami ka qenë inkubator i radikalizmit dhe ekstremizmit fetar, kjo do të na dëshpërojë dhe zhgënjejë edhe më tepër. Kjo do të nënkuptonte se përfaqësuesit e kësaj xhamie kanë dështuar në kontrollimin e faltores së tyre. Kjo barazohet, për ne, me një tradhti ndaj islamit, ndaj xhamisë dhe ndaj të gjithë myslimanëve», thuhet në deklaratën e Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër.