Zvicër: Imamët duhet t’i nënshtrohen një testi

Teologët myslimanë mund të predikojnë në Zvicër jashtë kontrollit të institucioneve shtetërore. Kjo pritet të ndryshojë dhe imamët, shpeshherë të importuar, duhet t’i nënshtrohen një testi, i cili synon të zbulojë tendencat e tyre fundamentaliste.

Ilustrimi: Schutterstock



Për botën e myslimanëve autoritetet zvicerane dinë shumë pak. Xhaminë shpeshherë gjenden në zona industriale, larg jetës së përditshme, imamët rrjedhin kryesisht nga vendet e prejardhjes së besimtarëve, predikimi bëhen në gjuhë të huaja – arabisht, turqisht, shqip, në gjuhën boshnjake etj. Imamët zakonisht zgjidhen nga komuniteti fetar, kontrollimi i këtij procesi është i vështirë, madje deri viteve të fundit autoritetet as që kanë qenë të interesuara. Por prej se disa të ashtuquajtur myslimanë keqpërdorin në mënyrë flagrante fenë për të zbrazur urrejtjen e tyre ndaj botës perëndimore, edhe në Zvicër autoritetet po tregojnë interesim gjithnjë më të madh për të ditur sa më shumë për komunitetet myslimane dhe tendencat eventuale të radikalizimit.

Siç shkruan gazeta «NZZ am Sonntag» në të ardhmen pritet që imamët në Zvicër t’i nënshtrohen një testi mbi përshtatshmërinë e tyre. Një testi të tillë i nënshtrohen, ta zëmë, priftërinjtë evangjelistë. Për të qenë prift nuk mjafton vetëm dija formale teologjike, por kërkohet edhe përshtatshmëria: a janë kandidatët për prift empatikë sa duhet? A mund të zhvillojnë biseda të vështira? Çfarë vlen për evangjelistët pritet të aplikohet edhe ndaj imamëve.

Isabelle Noth, profesoreshë për punë pastorale dhe psikologji religjioni në Universitetin e Bernës, bashkë me kolegun e saj Hansjörg Znoj, një psikolog klinik, është duke përpiluar një test, të cilit duhet t’i nënshtrohen imamët. Përmes testit synohet të zbulohet nëse imamët janë përkrahës të interpretimit radikal të islamit. Sipas «NZZ am Sonntag» deri më tani disa imamë janë paraqitur për t’iu nënshtruar këtij testi, i cili, mes tjerash, synon të krijojë qartësi mbi atë se çfarë qëndrimi mban një imam ndaj të drejtave të grave dhe barazisë gjinore, a e konsideron dhunën në kontekstin fetar si diçka legjitime, si i interpreton shkrimet fetare? Njëkohësisht me përgatitjet për këtë test në Zvicër ka kërkesa nga ekspertët e sigurisë që përgatitja shkollore e imamëve të bëhet në Zvicër, duke shmangur kështu imamët që kanë studiuar në shkollat teologjike arabe. (-lli)