Zvicër: Humbje për popullistët e djathtë dhe për lobin e lopëve, fitore për mbikëqyrësit e «mashtruesve»

Lopët e Zvicrës edhe më tutje pa brirë. Detektivët mund të spiunojnë «mashtruesit socialë». E drejta ndërkombëtare do të vlejë edhe më tutje në Zvicër. Këto janë rezultatet e tri referendumeve në Zvicër këtë të diele.

Nevoja për siguri është trend politik i çastit. Ilustrim (nga Shutterstock) mbi votimet në Zvicër.



1.
Partia Popullore e Zvicrës (SVP) nuk ka ngurruar gati kurrë të konfrontojë vendin me botën, e sidomos me Europën. Që nga fillimi i viteve ’90 SVP kundërshton integrimin e Zvicrës në Bashkimin Europian. Fushata shumëvjeçare ka pasur efekt: sot shumica e qytetarëve zviceranë janë kundër integrimit të Zvicrës në BE. SVP kundërshton edhe ndërhyrjen e gjykatave europiane në punët e Zvicrës. Për këtë arsye SVP lansoi një iniciativë, e cila u quajt: Iniciativa e vetëvendosjes. Domethënë: Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg nuk do të duhej të lejohej të merrte vendime për Zvicrën. Me një fjalë: e drejta nacionale do të konsiderohej më e rëndësishme se ajo ndërkombëtare, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare. Gjykata e Strasburgut e ka qortuar Zvicrën për praktikat e dëbimit të azilkërkuesve. Kjo për SVP-në është e papranueshme, e cila zhvilloi një fushatë kundër «gjykatësve të huaj». Por, nganjëherë populli zviceran nuk bie në kurthet e SVP-së. Këtë e dëshmoi të dielën duke hedhur poshtë nismën e SVP-së kundër «gjykatësve të huaj». Kundërshtarët argumentuan me sukses se Zvicra nuk mund vetëm të përfitojë nga tregtia me botën e jashtme, sidomos me BE-në duke refuzuar çdo kontratë ndërkombëtare. Dështimi i së dielës është njëra ndër humbjet më të mëdha që ka pësuar SVP viteve të fundit. Deri më tani kjo parti ka qenë e përkëdhelur nga sukseset, mes tjerash para disa vitesh ka arritur t’i bind zviceranët të ndalojnë ndërtimin e minareve në Zvicër dhe të kufizojnë numrin e të huajve.

2.
Të dielën zviceranët votuan edhe për iniciativën e blegtorit Armin Capaul, i cili kërkonte nga shteti të subvencionojë blegtorët që nuk ua presin lopëve brirët. Në Zvicër pjesës më të madhe të viçave u priten brirët – për të evituar lëndimet dhe për të kursyer vend në ahur. Capaul dhe 100 mijë mbështetës të tij imponuan një referendum, duke argumentuar se prerja e brirëve lëndon dinjitetin e lopëve (dhe dhive). Përkundër mirëkuptimit te një pjesë e konsiderueshme e opinionit zviceran, megjithatë nisma nuk kaloi. Edhe në të ardhmen blegtorët do t’ua presin brirët viçave e lopëve.

3.
Problemi nuk mund të injorohet: në Zvicër ka jo pak njerëz që mashtrojnë sigurimet sociale. Bëhen sikur janë të sëmurë apo invalidë, simulojnë derisa të marrin një pension nga shteti, pastaj ose tërhiqen diku në botën e jashtme, ku bëjnë kokrrën e qejfit ose vazhdojnë të jetojnë në Zvicër dhe të punojnë tinëz. Këtë praktikë sigurimet zvicerane janë përpjekur ta ndalojnë. Shpesh duke angazhuar detektivë privatë, të cilët i kanë spiunuar invalidët e rrejshëm. Ka pasur detektivë që kanë shkuar në Kosovë apo në Tajlandë për të mbikëqyrur se çfarë bëjnë invalidët e pensionuar në Zvicër. Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut e ka kritikuar këtë praktikë të Zvicrës. Të dielën zviceranet dhe zviceranët votuan për një ligj, i cili u jep sigurimeve kompetenca të gjera për mbikëqyrjen e «mashtruesve socialë». Dhe zviceranët e miratuan ligjin. Në të ardhmen të dyshuarit si mashtrues të sigurimeve mund të mbikëqyren (lexo: përcillen e spiunohen) nga detektivët, të cilët kanë të drejtë të përdorin mjete teknike për përgjim (GPS) dhe të fotografojnë. Kundërshtarët e iniciativës pa sukses argumentuan se kjo metodë e përgjimit e bën Zvicrën të duket si Bashkimi Sovjetik.