Zvicër: Eksperiment me 500 konsumues të mariuanës

Fondi Nacional i Zvicrës për Shkencë do të përkrahë me 720 mijë franga një eksperiment me mariuanë.

Foto: Shutterstock



Në fillim të vitit të ardhshëm në Zvicër do të startojë një eksperiment i jashtëzakonshëm shkencor. Hulumtues të Universitetit të Bernës duan t’i furnizojnë legalisht me mariuanë rreth 500 konsumues në qytetin e Bernës. Droga do të shitet në barnatore të caktuara. Qëllimi i eksperimentit është që të konstatohet se çfarë efekte ka për konsumues dhe për shoqërinë dhënia legale e mariuanës, shkruan gazeta «SonntagsZeitung». Shkencëtarët duan të verifikojnë nëse personat testues konsumojnë më shumë apo më pak mariuanë nëse e marrin këtë drogë legalisht. Po ashtu shkencëtarët duan të zbulojnë se çfarë ndikimi do të ketë eksperimenti në tregun e zi. Për të kryer këtë eksperiment janë të nevojshme rreth 600 kilogramë mariuanë, vlera e së cilës në tregun ilegal arrin 12 milionë franga.

Mariuana do të mbillet në kantonin e Bernës. Një kohë të gjatë ishte e paqartë nëse ky eksperiment do të mund të realizohej. Ndërkohë Komisioni i Etikës i kantonit të Bernës në mars e ka miratuar kërkesën për eksperiment. Tani edhe Fondi Nacional i Zvicrës për Shkencë ka vendosur ta përkrahë me 720 mijë franga këtë eksperiment me mariuanë. Ende mungon leja e Entit Federal për Shëndetësi, por ministri i Shëndetësisë Alain Berset ka theksuar se i miraton synimet e hulumtuesve. (-lli)