Zvicër: Dënim me burg për bandën e plaçkitësve nga Kosova

Gjykata Penale në qytetin Muttenz të Zvicrës veriore ka dënuar katër shqiptarë nga Kosova për shkak të plaçkitjes.

Foto: Shutterstock



Në dhjetor të vitit 2014 një bandë nga Kosova e përbërë nga katër persona për pak ia mori jetën një plaku zviceran. Dy kriminelët kryesorë mbuluan dhe pothuaj e ngufatën me një çarçaf plakun e paralizuar me qëllim që t’i vidhnin stoli dhe orë. Gjykata Penale në Muttenz dënoi të premten anëtarët e bandës me gjashtë, pesë vjet e gjysmë, pesë dhe katër vjet e gjysmë burg. Një person tjetër, i cili ishte futur në një restorant për të plaçkitur, u dënua me 11 muaj burg me kusht.

Përveç këtyre krimeve banda kishte grabitur disa shtëpi në këtë rajon të Zvicrës dhe ishte përpjekur të plaçkit një pikë karburanti dhe të thyejë disa trezorë.

Mediat lokale kanë kritikuar sidomos faktin se personat e kërkuar dhe disa prej tyre edhe të dënuar më parë kishin marrë viza në Ambasadën e Zvicrës në Prishtinë. (dp)