Zvicër: Bie numri i trafikantëve kosovarë të qenieve njerëzore

Vitin e kaluar çdo i dhjeti trafikat i njerëzve që kapej nga autoritetet kufitare të Zvicrës ishte kosovar. Tani prijnë shtetasit zviceranë.

Refugjatë në Como të Italisë, duke pritur hyrjen në Zvicër. Foto: Shutterstock

Kur vjeshtën e kaluar mijëra refugjatë erdhën në Europë përmes rrugës ballkanike, çdo i dhjeti trafikant i qenieve njerëzore që arrestohej nga kufitarët zviceranë ishte nga Kosova. Tani, siç shkruan gazeta «SonntagsZeitung», kosovarët janë zëvendësuar nga një grup tjetër: nga shtetasit zviceranë. Ndërkohë kosovarët zënë vendin e katërt në listën e trafikantëve të njerëzve. Gazeta e shpjegon këtë me mbylljen e rrugës ballkanike të refugjatëve.

Në 12 muajt e fundit Korpusi për Mbrojtjen e Kufirit i Zvicrës regjistroi 464 raste në të cilat kishte dyshim për trafikim të njerëzve. Në 59 raste personi i ndaluar ishte nga Kosova, ndjekur nga sirianët, eritreanët dhe zviceranët (33 raste). Në muajt janar-shtator 2016 listës i prijnë qytetarët zviceranë.

Kosovarët, sipas «SonntagsZeitung», me vite të tëra kanë qenë prijës në trafikimin e njerëzve. Këtë e konfirmojnë edhe të dhënat e Entit Federal të Policisë (Fedpol). Si arsye për këtë përmenden mjerimi social në Kosovë, por edhe diaspora e madhe shqiptare në Zvicër. (-lli)