Zvicër: 26 masa kundër terrorizmit

Qeveria dhe kantonet zvicerane planifikojnë masa preventive kundër radikalizmit.

Foto: Shutterstock



Në dhjetor qeveria dhe kantonet e Zvicrës do të prezantojnë një plan aksional, i cili synon të parandalojë ekstremizmin e dhunshëm. Një plan i cili ende është intern parasheh 26 masa kundër radikalizmit, shkruan gazeta e Zürichut «SonntagsZeitung». Parashihet, mes tjerash, që shërbimi sekret i Zvicrës të ofrojë kurse për zyrtarët që kujdesen për azilkërkuesit me qëllim që të vërehen me kohë tendencat eventuale të radikalizimit dhe të veprohet kundër tyre.

Masa kundër ekstremizmit do të ndërmerren edhe në sistemin shkollor. Planifikohet të ketë libra mbi ekstremizmin dhe arsimim të veçantë mbi mediat. Shoqata e Mësuesve e Zvicrës është skeptike për shkak se kështu, sipas saj, shkollat po ngarkohen me detyra të reja. Edhe përgjegjësit e klubeve sportive pritet të sensibilizohen në lidhje me ekstremizmin. «Mendojnë se është e rëndësishme të ndërmarrin masa të koordinuara kundër radikalizimit», tha një nëpunës i Zyrës Federale të Sportit.

Sipas një hulumtimi të gazetës «Tages Anzeiger» 72 persona nga Zvicra kanë qenë ose kanë menduar të shkojnë në Siri dhe Irak për t’iu bashkangjitur luftës së atjeshme. Qendër e fanatikëve fetarë konsiderohet qyteti i Winterthurit afër Zürichut. Nga ky qytet së paku tre shqiptarë i janë bashkuar milicisë terroriste të ashtuquajtur «Shteti Islamik». Njëri prej tyre me gjasë është vrarë në Siri. Dy të tjerët, vëlla e motër, janë kthyer në Zvicër. (dp)