Zvarritet prej 5 vjetësh projekti i ujësjellësit për 19 fshatra të Pejës

Projekti për ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat e Lugut të Baranit ka hyrë në vitin e pestë të realizimit dhe ende nuk është afër të përfundojë.

I nisur, më 2012, ky projekt ishte planifikuar të përfundonte brenda tre vjetësh. Njëra prej arsyeve të zvarritjes së punimeve është mungesa e mjeteve për ndërtimin e ujësjellësit, shkruan sot «Koha Ditore». Projektit në vlerë pre 3 milionë e 500 mijë eurosh i mungon edhe një milion euro për përfundimin e punimeve.

Më 2014, projekti kishte në konto të ndara 400 mijë euro, por ato i janë marrë për të paguar komuna dënimet e gjykatës. Përfaqësuesi i Lugut të Baranit dhe këshilltar në KK të Pejës, Nazmi Krasniqi nga fshati Çallapek, ka kritikuar komunën, që nuk është aspak e interesuar për investimin e këtij projekti. Megjithëse ka nevojë edhe për një milion euro, Krasniqi thotë se tek sivjet komuna ka ndarë 300 mijë euro për këtë projekt.

Nga ky projekt përfitojnë 15 fshatra të Lugut të Baranit, si edhe fshatrat Lozhan, Dobërdol, Graboc dhe Zllapek. Sipas Krasniqit në gjitha këto fshatra jetojnë rreth 15 mijë banorë. Aktualisht gypi i këtij ujësjellësi është shtrirë nga fshati Nepole e deri tek ura në rrugën e transitit që çon për në Deçan.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Ukë Selimaj, thotë se tenderi tashti është shpallur për punimet e mbetura në këtë ujësjellës. Me 300 mijë eurot që i kanë sivjet në dispozicion, sipas tij nuk do të mund të kryheshin të gjitha punimet që kanë mbetur. Për vitin e ardhshëm, sipas tij, planifikohet ndarja e mjeteve të tjera.

Më 2014, komuna ka pasur mundësi të përfitonte 470 mijë euro nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik për këtë projekt, por siç thotë një burim brenda komunës, ato mjete janë humbur nga neglizhenca e komunës dhe nuk dihet se a do ofrohen serish nga kjo ministri. Ndërsa, arsyeja tjetër, përveç mungesës së mjeteve që ky projekt ka mbetur pa përfunduar deri tashti, është edhe kundërshtimi i banorëve të fshatrave përreth burimit të Drinit, që ai gyp të lidhet atje. Sadri Murtezi, kryetar i Bashkësisë territoriale Novosellë, tregon se banorët kanë disa arsye pse kanë kundërshtuar dhe vazhdojnë të kundërshtojnë lidhjen e atij gypi në burim të Drinit. Megjithëse fshatrat Radavc, Novosellë dhe Jabllanicë gjenden afër burimit ato, siç thotë Murtezi kanë mungesë uji dhe janë me reduktime.

Kundërshtimi i banorëve nuk ka të bëjë vetëm me problemet që ata vetë kanë me furnizim me ujë të pijshëm, por më tepër po i trishton ata madhësia e gypit që po shtrihet në drejtim të burimit me projektin e ujësjellësit për Lug të Baranit. Ai thotë se gypi është i gjerë 60 centimetra, thotë Murtezi.

Dimensioni i gypit në fakt nuk është 60 centimetra sa pretendon Murtezi, por 50 centimetra trashësi, kurse gjatësia e këtij ujësjellësi është diku rreth 43 kilometra nga burimi deri në Lug të Baranit. Megjithatë, siç thotë drejtori i Punëve Komunale dhe Shërbimeve Publike, Ukë Selimaj, kapaciteti i ujit që dërgohet me atë gyp në Lugun e Baranit është më i madh sesa nevoja.

Drejtori i «Hidrodrinit», Agron Tigani thotë se burimi i Drinit ka kapacitet të mjaftueshëm që të furnizojë me ujë të pijshëm edhe fshatrat e Lugut të Baranit. Sa për krahasim, gypi që sjellë ujin e pijshëm nga burimi i Drinit për dhjetëra mijëra banorë në Pejë ka dimension prej 70 centimetrash, ndërsa gypi për Lugun e Baranit është vetëm 20 centimetra më i ngushtë.