Zürich, Zürich



Ka ca qytete në botë që identifikohen në mënyrë perfekte me vendin e tyre. I tillë, për shembull, është Stambolli, apo edhe Sidney. Ato shpeshherë pandehen si kryeqytetet e atyre shteteve dhe ngatërrohen me Ankaranë në Turqi dhe Canberra në Australi. Kulmi i magjisë së këtij tipi qytetesh është mbase New Yorku, i cili në opinionin e gjerë botëror është më popullor se kryeqyteti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Washingtoni.

Këto qytete ngërthejnë vlerat më reprezentative të vendeve të tyre. Do të ishim nominuar për ndonjë çmim ndërkombëtar sikur të ishim në gjendje ta përmblidhnim në një pasus, apo kolumnë, atë që përfaqëson New Yorku në të vërtetë. Për këtë do të duhej një frymëzim hyjnor. Gjithsesi, ai është sinonim i dinamikës së jetës, qyteti i mundësive, por edhe i vështirësive. Qytet i shanseve, sikur edhe i sfidave. Vendi ku janë realizuar shumë ëndrra të mëdha, por shpeshherë me çmimin e një fillimi të ri, nga e para. Këtë e thotë më së miri kënga legjendare «New York, New York» e afirmuar nga Frank Sinatra: «Dëshiroj patjetër të jem pjesë e tij – / E New Yorkut, New Yorkut…/ Dua të zgjohem në një qytet, që nuk fle kurrë…/ …Do t’ia nisë edhe një herë nga fillimi – / Në New Yorkun e mirë, të vjetër…» Dhe, vjen vargu ndoshta më domethënës i këngës: «Nëse ia dal aty,/ Atëherë ia dal gjetiu».

Ka edhe një qytet në botë, i cili i ka të gjitha hiret e metropoleve që përmendëm: Zürichu. Ai është qyteti i parë zviceran që të vjen në mendje. Përpara Bernës kryeqytet. Zürichu është qyteti, sekretet e të cilit nuk mund t’i zbulosh as për shumë vite jetesë aty, aq më pak t’i shpalosësh në një rrëfim të shkurtër. Aty si një orë zvicerane ecin biznesi, kultura, mediat, teknologjia, dija… Kompani dhe organizata vendore e botërore në Zürich janë në shtëpinë e vet. Ai është ekskluziv dhe popullor, zviceran dhe kosmopolit, afarist dhe mendjehapur, i CEO-ve dhe punëtorëve. Aty janë të sinjalizuara edhe shkallët elektrike, në anën për të qëndruar dhe në atë për të ecur. Zürichu është qyteti ku ecet në shkallë elektrike. Ecje në ecje! Në fillim të këtij viti, një studim e shpalli atë si qendrën e dytë financiare në Evropë, kurse një tjetër – si qytetin e dytë më atraktiv të kontinentit.

Zürichu është qyteti ku fati ka përplasur njerëz nga e gjithë bota. Përveç të tjerëve, sikur edhe në New York, aty jetojnë edhe shumë shqiptarë. Sipas statistikave zvicerane, përqendrimi më i madh i shqiptarëve në Zvicër është në Zürich. Ata më së shumti aty kanë gjetur punë, më së shpeshti aty kanë gjetur strehë; në Zürich e kanë investuar takatin e tyre, por edhe talentin. Aty janë prehur nga puna e rëndë në mbrëmje dhe i kanë mikluar ëndrrat për t’u kthyer një ditë plot para dhe ide për një fillim të ri në vendlindjen e tyre.

Tre-katër vjet do të qëndronin ata në Zürich. Por, qyteti nuk të lëshon aq kollaj. Ai dëshiron të të njohë më mirë. Në fakt, nuk e lëshon vetë, këmbët dhe mendja të ngelin peng aty. Sepse ëndrrat e mërgimtarit janë serike, ato nuk shterojnë kurrë dhe mund t’i bëjë realitet vetëm puna në Zürich. Mërgimtarëve u vjen në ndihmë gjenerata e dytë, duke vazhduar ku e kanë lënë etërit, duke ëndërruar mirazhin e prindërve të tyre. Dhe, me punën e tyre ata shpeshherë e kanë vënë një standard në vendin e lindjes. Për përpikërinë, zellin, stilin, arkitekturën etj. Ata kanë kontribuuar edhe për atë që Zürichu është ky që është, herë i dyti, por shpeshherë edhe i pari nëpër studime ndërkombëtare.

Por, kjo nuk domethënë akoma t’ia kesh dalë. Sidomos në rastet kur gjenerata e dytë pozicionohet në të njëjtin sektor si e para. Madje, nganjëherë, edhe në të njëjtën firmë ku punon, apo ka punuar prindi. Kjo nuk domethënë akoma të jesh i mirëseardhur. Jo njëherë në dyert e qytetit janë shfaqur pinjollët e gjeneratës së parë të emigrantëve me diploma shkollash të larta dhe nuk janë qasur nëpër pozita të lakmuara në shoqërinë e vendit. Nganjëherë edhe me diploma universitetesh zvicerane dhe të formuar në Zvicër kanë më pak përparësi se qytetarët e vendeve të Unionit Evropian që vijnë si turistë.

Por ata nuk dorëzohen, pas ndonjë eksperimenti të shkurtër pune të pakualifikuar, ia mësyjnë pavarësimit ekonomik. Hapin një firmë. Hapin një perspektivë për vete, për pasardhësit dhe për komunitetin. Fitojnë dinjitet dhe prestigj social. Në Zürich dhe në Zvicër. Rastet më të mira, kryesisht ata që kanë lindur në Zvicër, kanë shkuar akoma më larg. Ata i mësuan më parë shtigjet e suksesit dhe çan më lart nëpër konkurrencën e qytetit ku ecet në ecje. Mbase edhe sepse ëndrrat e tyre tanimë luhen këtu.

Gjithsesi: kush ia del në Zürich, ia del gjithandej, jo vetëm në Zvicër. Kjo përvojë është një licencë.