Zotni Branko e ka një ëndërr




Rrëfen shqiptari më i njohur i Rekës, pos Josif Bagerit, Branko Manoloski.

 

Nga Shpëtim POLLOZHANI

Reka është një krahinë që përfshin territorin nga aty ku ndahen Korabi me Malin Sharr, deri tek kufiri i Gostivarit. Nga ky territor burojnë ujëra, të cilët e mbajnë gjallë të gjithë Maqedoninë. Reka ka 17 katunde, të cilët kanë qenë të banuar me shqiptarë ortodoksë, rrëfën banori më i njohur i Rekës pas Josif Bagerit, Zotniu i ortodoksëve shqiptarë në Maqedoni, Branko Manoloski. «Unë kam mësuar në gjuhën shqipe», rrëfehet ai duke pirë një kafe tek ura në gojë të Drinit të Zi. Bashkëkombasit e mi shqiptarë më thërrisnin «shka», kurse maqedonasit më quanin «shop»* «Shpeshherë shkoja i përlotur në shtëpi», vazhdon Zotniu i Rekës. «Shkoja në shtëpi dhe qaja përpara nënës sime. ‹Çfarë jemi ne moj nënë? Nuk na duan as maqedonasit dhe as shqiptarët!›» Dhe ajo i përgjigjej: «Ne jemi të shkretë ore bir, jemi të shkretë».

Dhe vazhdon rrëfimin zotni Branko: «Në ato rrethana, ne ortodoksët shqiptarë të Rekës e ndienim veten si një pemë pa rrënjë. Ndiheshim të humbur. Mirëpo pushteti ia kapi fillin kësaj pune. E para që bëri ai ishte përzënia e priftërinjëve tanë. Priftërinjtë që erdhën ishin sllavë. Ata na thonin se Zoti nuk i dëgjon lutjet në gjuhën shqipe, duhet të lutemi vetëm në gjuhën sllave. Dhe të gjitha ritet kishtare filluan të bëhen në gjuhën maqedonase.» Filloi asimilimi i tyre duke u martuar me ortodoksë sllavë. Martesat e përziera ishin pjesë e strategjisë për asimilimin e sqiptarëve katolikë dhe ortodoksë të Rekës dhe më gjërë. Ai që i ndërroi priftërinjtë, nuk u ndal me kaq. Pjesa tjetër e strategjisë ishte punësohimi i të gjithë shqiptarëve ortodoksë. Ata u punësuan në polici, në shërbimet sekrete, në ushtri, prokurori dhe nëpër Komitetet e Partisë Komuniste. Ata duhej të tregohen dy herë më të ashpër kundër shqiptarëve, me qëllim që të dëshmonin përpara padronit se ata nuk janë «ata». Në trungun gjenealogjik, të cilin Zotniu i Rekës e mban në dhomën e miqve, duken emrat e shumë funksionarëve të lartë të LKJ-së dhe të shërbimeve sekrete të ish Jugosllavisë.

Në rrethin e Strugës është një fshat, Kalishti. Aty dikurë jetonin si vëllezër shqiptarë ortodoksë dhe myslimanë. Edhe pse nuk martoheshin me njëri-tjetrin, jeta vazhdonte rrugën e saj. Shqiptarët ortodoksë jepnin e mernin me Lindin dhe me Pogradecin në Shqipëri. Kur u mbyll kufiri në vitin 1948, ortodoksët e Kalishtit, si të gjithë ortodoksët e tjerë shqiptarë, filluan të martohen me ortodoksë sllavë. Sot ortodoksët e Kalishtit, edhe pse kanë kushërinj të tretë shqiptarë, shtiren më maqedonas se maqedonasit. Në Strugë kemi mbiemra ortodoksë me rrënjë shqiptare: Misa, Kuteli, Labi, Prenka, Doko, Trimi, Gjorgoni, Rajca, Belko, Nestori dhe dhjetra familje të tjera. Po Ohrin, ku e lamë Ohrin? I gjithë Varoshi ka qenë pjesë e familjes mesjetare Gropaj. Ata kanë jetuar brenda mureve të Kalasë së Ohrit, kurse jashtë mureve kanë jetuar hyzmeqarët e çifligjeve të e tyre, të cilët ishin sllavë.

Në vitet e tetëdhjeta, e gjithë diaspora shqiptare në Amerikë u ngrit në këmbë që Branko Maniloski t’i paraprijë aksionit për kthimin e shqiptarëve ortodoksë të Rekës në identitet. Zotni Branko bëri një sakrificë të madhe. Ai u vetëflijua, duke i marrë parasysh të gjitha peripecitë si një shqiptar ortodoks në këtë qufar-shtet. Branko u kthye në vendlindje – në Kiçinicë të Rekës, mirëpo ata që ulërinin që ai të këthehet nuk ndanë asnjë cent për realizimin e këtij proekti të madh. Zotniu i Rekës, duhej ta financonte vetë të gjithë veprimtarinë e tij kombëtare. Zotniun e Rekës kulakët e partive e shëtisin nëpër darka e ahengje, vetëm sa për tu fotografuar me të? Mirëpo Zotni Branko nuk i vlerëson njerëzit sipas darkave, drekave dhe veturave me xhama të errët. Ai i vlerëson njerëzit sipas veprimtarisë kombëtare. Përse nuk i ndihmohet shoqatës së parë shqiptare për kultivimin e vlerave të etnosit dhe kulturës ortodokse shqiptare, «Josif Bageri»? Është e pandershme që këtë Zotëri të madh ta shëtisin nëpër darka e ahengje dhe mandej ta harrojnë deri në ahengun tjetër. Zotni Branko është institucion. Ai duhet të trajtohet si institucion. Duhet të formohet një fondacion me emrin e Zotni Brankos së Rekës. Ai do të duhej të merrej me kultivimin e vlerave të shqiptarëve ortodoksë e katolikë në Maqedoni. Maqedonasit kanë dhjetra fondacione të cilët kultivojnë kulturën e tyre, njëri nga këto e financon projektin «Shkupi 1014». Zotniu i Rekës duhet të jetë në qendër të vëmendjes së opinionit shqiptar dhe më gjërë – sa më i afirmuar, aqë më i mbrojtur do të jetë ai.

Dhe Zotni Zotni Branko vazhdon rrëfimin e tij, duke pirë kafen aty në gojë të Drinit: «Në Parkun Nacional të Mavrovës, drejtor është një maqedonas nga Strumica. A nuk do të ishte vallë e mrekullueshme që drejtor të ishte një kuadër shqiptar ortodoks me rrënjë nga Reka. Ai do të kishte edhe dy tre të punësuar të tjerë, gjithashtu ortodoksë nga Reka. Drejtori i vendit do t’i dinte edhe emrat e luleve, të arinjve dhe të ujqërve të atyre maleve. Ai më mirë mund të komunikojë dhe ta dashurojë të gjithë atë çka është rekane.»

Aty ku sadopak kanë pushtet shqiptarët, duhet të fillojnë me punësimin e shqiptarëve të krishterë. Sikur të kishin pakës ndjenja për komb këta tenderbegasit tanë dhe për çdo mandat të punësonin nga dy drejtorë, dy tre përgjegjës dhe nga disa punëtorë të zakonshëm, gjendja me shqiptarët katolikë dhe ortodoksë, që nga nga Struga deri në Shkup do të ishte ndryshe. Do të kishim disa qindra kuadro të gatshëm të ballafaqohen me të kaluarën e etnosit të vet.

Dhe, duke e përfunduar kafenë, aty në gojë të Drinit të Zi, Zotni Branko e përfundon rrëfimin: «Besoj në rrugën që jam nisur. Kjo është forca e ime… Besimi dhe arsyeja janë dy shtyllat e jetës sime…» Ai flet vetëm kur ka të tregojë diçka. Dhe ai ka se çfarë të tregojë. «…Njerëzit më duan dhe më adhurojnë, por kjo është vetëm një flladitje e shpirtit tim.» Por, me flladitje nuk jetohet. «Ju lutem rrallojini flladitjet se do të ma mërdhini shpirtin… Njeriu duhet të ketë një ëndërr», ka thënë Martil Lluter-King. Dhe Zotniu i Rekës e ka një të tillë.

* Emërtim pezhorativ për fshatarët maqedonas.