Zonja e Parë dhe e paparë

Melania Trump ka disa javë që nuk është parë në opinion. Për arsyet po qarkullojnë spekulime të jashtëzakonshme.

Melania Trump.



Kur burri i saj fitoi zgjedhjet presidenciale në nëntor 2016, Melania Trump kishte qarë. Së paku kështu ka njoftuar gazetari Michael Wolff në librin e tij «Fire and Fury». Përlotja nuk ishte pasojë e gëzimit, por pikëllimit. Për sllovenen Melania Trump zgjedhja e burrit të saj president do të thoshte largim nga New Yorku, largim nga Trump Toweri, qiellgërvishtësi i metropolit amerikan, largim nga jeta e qetë, luksoze. Vetë Trump duket se ishte befasuar kur u zgjodh president, disa këshilltarë të tij u shqetësuan, sepse tani shou elektoral i Trumpit ishte shndërruar në realitet serioz: biznesmeni që gati kishte falimentuar, shou-meni me ego sa një elefant tani do të banonte në adresën më të rëndësishme politike të botës – dhe bashkë me të edhe Melania Trump. Në fillim Zonja e Parë qëndroi në New York, dhe ky ishte një rast i mirë jo vetëm për mediat e bulevardit të spekulojnë nëse Melania Trump fare do të vë këmbën në pragun e Shtëpisë së Bardhë.

«Në thelb Melania Trump ka një punë të pamundshme. Kjo për shkak të burrit të saj të pamundshëm. Ajo duhet të rrezatojë dinjitet dhe qetësi pranë një burri që kalon ditët me mesazhe të padenja e histerike në Twitter», shkruan në një portret «Süddeutsche Zeitung». Zonja Trump nuk e ka lehtë. Para syve të botës është bërë publike se burri i saj ka pasur një aferë me një aktore të filmave porno, të cilës Trump dyshohet t’i ketë paguar para për të heshtur. Por kur burrat bëhen të famshëm në Amerikë (dhe jo vetëm në Amerikë) atëherë jo vetëm prostitutat duan të fitojnë diçka, qoftë edhe me rrëfime që i ngjajnë shantazhit, ndonëse, duhet thënë, Trump i ka paraprirë vetë kësaj situate me oreksin e tij animal për seks. Sa ishte kandidat për president u bë e ditur se Trump kishte thënë se gratë mund t’i prekësh ku të duash nëse ke boll para.

Për Trumpin presidenca mund të jetë përjetim i madh, për gruan e gjatë e të hollë nga alpet sllovene – një ankth i pandërprerë. Ka disa javë që Melania Trump nuk është parë në opinion. Shtëpia e Bardhë njoftoi se ajo i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik në veshkë, asgjë serioze. Në opinionin amerikan kanë filluar spekulimet mbi Zonjën e Parë. Ku është ajo? Disa tallen duke thënë se Melania T. ka kërkuar azil te familja Obama, një publicist përgojues u tregua i bindur se Trump e ka rrahur aq shumë gruan e tij, saqë ajo tani duhet të fshihet. Në Twitter është përhapur hashtagu #MissingMelania. Të hënën Zonja e Parë mori pjesë në një pritje ne Shtëpinë e Bardhë për familjet e ushtarëve të rënë.

Melania Trump është e para Zonjë e Parë e historisë më të re amerikane, e cila nuk është lindur si shtetase amerikane. Si e re ajo punoi modele, më 1996 erdhi në New York. Në një ndejë ajo takoi mogulin e patundshmërive Donald Trump, nëse njohja e tyre ishte dashuri në shikim të parë mbetet sekret i tyre. Më 2005 ata u martuan – për Melania Trump ishte martesa e parë, për Trumpin e treta. Në vitin 2006 lindi djali i tyre Barron – fëmija i parë për Melania Trumpin, i pesti për Donald Trumpin.

Për Melania Trump nuk dihet shumë. Sidomos nuk dihet se çfarë mendon për politikën. Zonja e Parë franceze Brigitte Macron, e cila së fundi qëndroi me burrin e saj në Shtëpinë e Bardhë, tha se kishte kaluar shumë mirë me Melania Trumpin dhe e përshkroi atë si zemërmirë dhe grua me humor. Por, zonja Macron, një grua me shumë përvojë jetësore, tha edhe këtë: nët thelb Melania Trump është një e burgosur në Shtëpinë e Bardhë. (dp)