Zonja dhe zotërinj!

Eskimezët për të gjitha objektet fluturuese, që nga insektet deri te aeroplanët, kanë një fjalë të vetme. Si kompensim për këtë ata për borën – për shembull – përdorin gjithë ato shprehje të diferencuara, ndërkohë që pjesa tjetër e botës ka një fjalë të vetme. Gjuha në njëfarë mënyre del si prodhim i rrethanave të jetesës së një populli. Dhe, kur shtratin e gjuhës së tij e caktojnë kushtet e jashtme – gjeografike, klimatike… – e mungesa e baraspeshave nuk krijon barriera në jetën e tij, ato nuk vijnë patjetër si një mallkim. Por, kur këto hendeqe i krijon vetë mënyra e komunikimit të një komuniteti, puna ndryshon.

Për t’i përfytyruar përmasat e një dënimi të tillë duhet të provojmë ta imagjinojmë për një moment gjuhën shqipe pa fjalët flutur, bilbil, zog, bletë, pëllumb, dallëndyshe, qyqe… apo – mos e dhashtë Zoti – pa fjalën shqiponjë. Dhe, në vend të këtyre të vendosim një shprehje që ato i redukton në mënyrë fenomenologjike në një cilësi të përbashkët, për shembull «ajrore». Kjo është sikur t’ua fshish shqiptarëve pranverën, qiellin, lirinë, përrallat, ëndrrat, këngën, muzikën, zinë, kujtimet, mitet, letërsinë, flamurin, vetë emrin – të gjitha. Sikur t’ua marrësh Skënderbeun, Naimin, Lasgushin, Fishtën, Agollin, Kadarenë… dhe çfarëdo që të del përpara. Kjo është t’i zhbësh ato fare. Kjo do të ishte diçka që s’e kanë bërë romakët, osmanët dhe Serbia të gjithë bashkë. Sepse, këto fjalë kanë një status të veçantë në gjuhën shqipe dhe botën që ka krijuar ajo, të folur apo të shkruar. Sepse fjalët, përveç që u shërbejnë marrëveshjeve në komunikim, ato e furnizojnë gjuhën dhe kulturën me metafora dhe simbole jetike. Kjo do të ishte ndoshta më tragjike se t’ua heqësh eskimezëve nga fjalori dhe fare borën, borët, ku ata ecin, rrëshqasin, udhëtojnë, flenë, ëndërrojnë, mbërdhijnë, jetojnë, furnizohen, e kursejnë natyrën… – orientimin e tyre, hartën dhe busullën e hapësirës së jetesës që kanë.

Ky skenar apokaliptik është punë që s’bëhet, them edhe unë. Aq më tepër që tani fjalës «zog» i veshim edhe kuptime të tjera. Falë estradës shqiptare. Por, falë estradës, në radhë të parë komunikimi shqip i është rrekur rrudhjes së fondit të fjalëve të gjuhës shqipe. Në ligjërimin e saj sidomos spikat mënyra e veçantë e përdorimit të fjalëve «femër» dhe «mashkull»: femra e ëndrrave, mashkulli ideal… Kështu shprehen edhe mediet. Kështu raportojnë edhe institucionet: Policia shoqëroi për në stacion katër meshkuj dhe tri femra… Kështu së fundmi përdoret edhe në letërsi. Femra dhe meshkuj! Tani edhe deputetet shqiptare flasin për përfaqësimin e femrave në parlament, qeveri dhe institucione. Nuk ka më vajzë, gocë, çupë, cucë, çikë, të dashur, dashnore, grua, aq më pak zonjë – ka vetëm femra. Nuk ka më as djalë, çun, voc, të dashur, dashnor, burrë, a zotëri. Ka vetëm meshkuj. Vetëm femra dhe meshkuj!

Mbase së afërmi edhe fjalimet formale do të fillojnë me: Femra dhe Meshkuj! Duke i reduktuar format e mundshme dhe adekuate të shprehjeve në ekstrem, në një komunikim pa informacion. Me këtë mënyrë të padiferencuar të të shprehurit nuk e merr vesh as moshën e personit që i referohet, as statusin civil, asnjë karakteristikë tjetër të tij, përveç gjinisë. Për të qenë më të saktë, nga ky ligjërim nuk e merr vesh as nëse flitet për njerëz fare. Në një shikim të diferencuar, kjo ligjëratë karakterizohet nga një braktisje e kategorive sociale – grua, burrë… – dhe emocionale – i dashur, e dashur – dhe katandiset në kategori biologjike – femër, mashkull. Kjo gjuhë e kufizon saktësinë e komunikimit dhe e varfëron mënyrën e mendimit dhe të të shprehurit.

Prandaj, zonja dhe zotërinj!, ngrihuni mbi mendësinë e femrave dhe meshkujve, të cilët po ju ndjellin në kurthin e një mentaliteti primitiv, të një komunikimi pa informacion, pa emocion dhe pa moral. Ata jua mohojnë identitetin tuaj njerëzor dhe kombëtar. Gjuha shqipe ju ka garantuar dinjitet, ruajeni atë vlerë përpara privilegjeve të tjera. Sepse robërinë nuk jua sjellin të tjerët, atë së pari e mbillni vetë në mendjen tuaj.