Zogaj: Asociacioni i Luginës një lapsus politik i dëmshëm




Për drejtorin ekzekutiv të Lëvizjes Fol, Petrit Zogaj, të mendosh se për shkak që serbët në Kosovë formuan asociacion dhe tash shqiptarët në Luginë të Preshevës duhet ta bëjnë të njëjtën gjë, është në fakt të mos mendosh fare politikisht.

«Serbët në Kosovë janë të mbipërfaqësuar për shkak të kompromisit për shtetin e Kosovës, ndërsa, shqiptarët në serbi janë të nënpërfaqësuar për shkak të politikës shtypëse që Beogradi ushtron në Luginë», ka thënë Zogaj.

Ai ka kujtuar faktin se serbet janë kategori e rëndësishme kushtetuese në Kosovë, se kanë shumicë të dyfishtë, vende të garantuara në Kuvend, në Qeveri në Gjykatë Kushtetuese dhe thuajse në secilin institucion në Kosovë, ndërsa, shqiptarët nuk njihen fare në Serbi, e nuk kanë kurrfarë të drejtash.

«Nuk lejohen të përdoren simbolet kombëtare, pra të kombit që i takojnë, nuk kanë shkollim si duhet, kanë probleme me tekstet shkollore, nuk kanë spitale, gjykatën më të afërt të qarkut e kanë në Vranjë e shumë probleme elementare të funksionimit të jetës politike e shoqërore», ka numëruar Zogaj, përcjell Koha.net.

Duke i ditur gjitha këto padrejtësi, krahasimi me serbët në Kosovë, sipas Zogajt, është dëmi më i madh që mund t’i bëjnë vetes liderët e shqiptarëve në Luginë të Preshevës.
«Si reaksion i Asociacionit të serbëve në Kosovë, shqiptarët në Luginë vetëm se do të dalin pa asnjë vizion se si t’i ngrehin çështjet e të drejtave të tyre në nivel brenda Serbisë, por edhe jashtë, si Brukseli apo në Prishtinë e Tiranë», ka thënë Zogaj, përcjell Koha.net. «Prandaj, veprimi i tyre sot është një lapsus politik i dëmshëm».