Zhvarroset në Shqipëri një viktimë e dyshuar e luftës në Kosovë

Autoritetet e Prishtinës zhvarrosën trupin e një personi të paidentifikuar në një fshat të Shqipërisë pranë kufirit me Kosovën, i cili besohet të jetë varrosur aty gjatë luftës së vitit 1999.

Një hartë që tregon fshatin Domaj në Shqipëri, ku u gjet trupi i një personi të paidentifikuar.



Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës bashkë me EULEX-in, nën mbikëqyrjen e prokurores së krimeve të luftës e Kosovës, Drita Hajdari, zhvarrosën trupin e një personi të paidentifikuar në fshatin Domaj në Shqipëri, ditën e hënë.

«Po, kemi gjetur një trup. Do të kthehemi në Kosovë dhe në ditët në vazhdim do të merremi me autopsinë», tha drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu.

Fshatarët në Domaj e gjetën trupin në maj të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, dhe e varrosën atë.

Ata e quajtën vendin «Varri i kosovarit» pasi menduan se trupin e kishte sjellë aty lumi Drini i Bardhë nga Kosova në fshatin e tyre, i cili është pranë kufirit.

Zhvarrimi u krye në bashkëpunim me autoritetet e Shqipërisë.

Instituti i Mjekësisë Ligjore shpreson të përcaktojë identitetin e viktimës pasi të kryejë autopsinë.

Numri i personave që mungojnë ende nga lufta në Kosovë është 1,658.

(https://www.reporter.al/zhvarroset-ne-shqiperi-nje-viktime-e-dyshuar-e-luftes-ne-kosove/)