Zhushi mban postin edhe pas ngritjes së aktakuzës për keqpërdorim të detyrës




Ferdije Zhushi vazhdon të jetë kryetare e Bordit të Agjencisë Kosovare të Akreditimit, edhe pasi që Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzën ndaj saj, për keqpërdorim të detyrës zyrtare, shkruan sot Koha Ditore.

 

Përderisa Ministria e Arsimit dhe Bordi i AKA-s nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim në lidhje me largimin nga detyra të Ferdije Zhushit, kjo e fundit ka mohuar se është ngritur aktakuza kundër saj dhe tre personave të tjerë, si bashkëkryes të veprës penale, shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe marrje-dhënie të ryshfetit.

Për ngritjen e aktakuzës kundër Zhushit dhe tre personave të tjerë, të mërkurën ka raportuar «Koha Ditore», ndërsa e ka konfirmuar edhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

«Ju informoj se më 31.08.2015, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi, Armend Muja dhe Naim Braha», thuhet në përgjigjet që ka marrë gazeta përmes postës elektronike nga Prokuroria.

Aty thuhet se «të pandehurit: Basri Muja, Ferdije Zhushi-Etemi dhe Armen Muja janë akuzuar për veprat penale: Shpërdorim i pozitës zyrtare ose i autorizimit dhe marrja e ryshfetit, ndërkaq i pandehuri Naim Braha është akuzuar për veprën penale dhënia e ryshfetit».