Zhupjanët kundërshtojnë sërish planet për ndërtim hidrocentralesh

Është zhvilluar diskutimi publik për raportin e vlerësimit të ndikimit në mjedis të 3 hidrocentraleve që synohet të ndërtohen në rajonin e Zhupës (Luginës së Lumëbardhit) në një atmosferë të tensionuar, me ç’rast përfaqësuesit politikë të boshnjakëve dhe banorët e kësaj ane kanë kundërshtuar edhe njëherë këto plane.

Madje ofrimi i pasqyrës së vlerësimit të ndikimit në mjedis, për hidrocentralet në Lubinjë të Poshtme, Gornje Sellë e Mushnikovë është bërë me vështirësi, shkaku i ndërhyrjeve të shpeshta nga banorët, por edhe politikanëve boshnjakë, të cilët në secilën paraqitje kanë theksuar se nuk do të lejojnë ndërtimin e hidrocentraleve në këtë anë, shkruan sot «Koha Ditore».

Shukri Shabani nga MMPH-ja ka dhënë sqarime për organizimin e debateve publike, për raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis, që sipas tij është një obligim ligjor, të cilit i nënshtrohet secili operator që planifikon ndërtimin e hidrocentralit.

Mirëpo ende pa ua kaluar fjalën përfaqësuesve të operatorit, që ka hartuar VNM-në, banorët kanë shprehur pakënaqësitë lidhur me planet për ndërtimin e hidrocentraleve.

Ramo Sagdati ka theksuar se popullata është e vendosur dhe është unike në qëndrimin e saj. «Ta kemi të qartë, nuk do të ketë ndërtime të hidrocentraleve në Zhupë», ka thënë ai. Abdirahman Miftari ka shtuar se për përfitim të individëve të caktuar i shkaktohet sherr i madh shumicës së banorëve të Zhupës. Ndërsa Abdil Shefitagiq ka pohuar se komuniteti kërkon përgjegjësi nga zyrtarët që kanë nisur të parët me lëshimin e lejeve.

Shukri Shabani, zyrtar i MMPH-së ka bërë të ditur se për çdo ngurrim si banorët, ashtu edhe përfaqësuesit politikë mund t’u qasen dokumenteve publike dhe të marrin sqarime shtesë në ministri.

Mirëpo deputeti Qerim Bajrami ka kërkuar që të mos humbet kohë kot, por të merret parasysh kundërshtimi i komunitetit për këto projekte.

Nga ana tjetër Rexhep Gashi një nga investitorët e interesuar për ndërtimin e hidrocentralit ka theksuar se përfaqësuesit politikë boshnjakë nuk kanë tentuar t’ua sqaronin këtë problem, sepse vendit i duhet investimi, e zhvillimi. «Në fakt e kanë kundërshtuar planin, duke manipuluar me popullatën që nuk bën të ndërtohet këtu. Por ligjet kanë shtrirje në tërë Kosovën, meqë u bë hidrocentrali në Shalë të Bajgorës, në Pejë, Dragash 3-4 sosh. Këta në fakt e kanë thënë të kundërtën», ka thënë Gashi, duke shtuar se pret që shteti të mundësojë realizimin e këtyre planeve në përputhje me objektivat e përcaktuara nga Ministria për Zhvillimin Ekonomik.