Zhgënjimi me BE-në – në rregull, retorika antiperëndimore – mendjelehtësi helmuese!

Europa nuk na do se «jemi shqiptarë», «jemi myslimanë». Jo, Europa nuk na do për shkak të paaftësisë së shoqërive shqiptare për të zgjedhur politikanë që nuk vjedhin dhe nuk merren me krim të organizuar. Bota perëndimore në 30 vitet e fundit ka bërë mjaft për botën shqiptare.




Një retorikë e tmerrshme po përhapet nga politikanët shqiptarë në pushtet në Tiranë e Prishtinë. Për perspektivën e zymtë të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian fajtor është – Europa. Për refuzimin e BE-së të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës fajtore është – Europa. Dhe për problemet e tjera po se po. Sepse bajraktarët e Tiranës e Prishtinës vetëm gabimet e tyre nuk i shohin. Të pranosh gabimet e të zotohesh se do të përmirësohesh – kjo shihet si dobësi nga ana e politikanëve.

Zhgënjimi me BE-në është në rregull. BE viteve të fundit nuk ka pasur politikë koherente ndaj Ballkanit. E goditur nga kriza e madhe e refugjatëve, BE ka qenë më shumë zënë me problemet e brendshme se sa me zgjidhjen e problemeve në oborrin e saj të trazuar siç është Ballkani. Por, mes BE-së pothuaj të paralizuar dhe Perëndimit që ka ndihmuar Kosovën në 30 vitet e fundit është një dallim i madh, pambarimisht i madh. Andaj retorika antiperëndimore dhe paushalle e politikanëve shqiptarë është mendjelehtësi helmuese. Dhe ka shumë shembuj që tregojnë se Perëndimi nuk ka qenë dhe nuk është antishqiptar.

  • Sepse e ka nxjerrë nga kthetrat e regjimit serb Kosovën duke e bombarduar Serbinë 78 ditë.
  • Sepse përkundër anarkisë në Kosovën e pasluftës, prapë e ka përkrahur në mënyrë gati unike pavarësimin e Kosovës.
  • Sepse në vitin 2009 Shqipërisë faktikisht ia fali anëtarësimin në NATO.
  • Sepse përkundër frikës se mijëra shtetas të Shqipërisë do të kërkojnë azil në vendet e BE-së, prapëseprapë ia hoqi vizat Shqipërisë. (Shikojeni statistikën e azilkërkuesve nga Shqipëria në Gjermani në korrik të vitit 2015 – janë menjëherë pas sirianëve).
  • Sepse gjatë tri dekadave të fundit strehoi mijëra shqiptarë, refugjatë lufte e refugjatë ekonomikë, duke ua mundësuar një jetë të mirë, shpesh komode në Gjermani, Zvicër, Austri, Francë, Itali, Greqi, vendet skandinave, Holandë e gjetiu.
  • Sepse kur i pranoi këta njerëz, nuk vuri kushte të ndërrojnë fe (nëse janë myslimanë).
  • Sepse kur në vitin 2014/2015 mijëra shqiptarë të Kosovës ikën nga vendi i tyre për shkak të mungesës së perspektivës, një gazetë konservatore gjermane botoi një shkrim me këtë titull: «Mirë se vini në Gjermani».
  • Sepse aq sa ka myslimanë në viset shqiptare, ka vetëm në qytetet e mëdha të Gjermanisë. Ose Francës.
  • Sepse në Europë nuk ka dështuar koncepti i shoqërisë multietnike, siç hamendësojnë shitësit e mjegullës në opinionin publik shqiptar.
  • Sepse po të ishte Perëndimi antishqiptar, nuk do të nderonte dy personalitete të një shoqërie numerikisht të vogël me çmimin Saharov (Ibrahim Rugova, Adem Demaçi).
  • Sepse po të ishte Perëndimi antishqiptar nuk do t’i mbyllnin sytë autoritetet e sigurisë kur liderët e UÇK-së pozonin para mediave perëndimore me pushkë automatike të ushtrisë së Zvicrës.
  • Sepse po të ishte Perëndimi antishqiptar nuk do t’u jepte shqiptarëve pozita të rëndësishme zyrtare, madje edhe në sektorin e sigurisë, atyre që i plotësojnë kushtet.
  • Sepse edhe regjimi i vizave ndaj Kosovës do të hiqej më shpejt nëse politikanët nuk do të tentonin ta mashtronin BE-në me luftën kundër korrupsionit. Përse tek para pak ditësh dhe pas shumë presioneve u miratua pakoja ligjore për konfiskimin e pasurisë së paligjshme të politikanëve?

Në këtë shkrim do të mund të renditeshim edhe shumë «sepse». Qindra «sepse». Por, nuk ia vlen. Ia vlen, ndërkaq, që shoqëritë shqiptare të mendojnë për arsyet e thella të refuzimit që po ia bën botës shqiptare Perëndimit. Është paaftësia për të qeverisur. Kuptohet, korrupsion e krim ka edhe në vende të tjera, sidomos në rajon, por Shqipëria e Kosova kanë problem me korrupsionin e krimin që është shndërruar në sistem shtetëror. Bëhet fjalë për shtete ku formalisht ka zgjedhje, parlament e demokraci sa për fasadë. Por, në thelb shtetet funksionojnë si firma private të një aleance politikanësh dhe oligarkësh që nuk kanë asnjë ambicie për vendet përkatëse. Pastaj kur kësaj ia shton dembelinë shqiptare që përfshinë politikanë e qytetarë të zakonshëm, atëherë problemi bëhet edhe më i madh. Për këtë s’ka faj Perëndimi. Nuk ka faj që në Kosovë vidhet dhoma e dëshmive e policisë dhe nga Shqipëria ikin dhe marrin azil në Zvicër udhëheqës të policisë vetëm për shkak se kanë denoncuar tregtarët e mëdhenj të drogës të lidhur me politikanët. Nuk ka faj Perëndimi që në institucione e ndërmarrje shtetërore instalohen njerëz të padenjë për poste publike. Nuk ka faj Perëndimi që në Kosovë e në Shqipëri vidhet edhe në tenderë për pulla postare. Për të gjitha këto s’ka faj as zonja Merkel, as zoti Macron, as Shtëpia Mbretërore e Belgjikës, as Princi i Liechtensteinit. Faji kryesor është lokal. I shqiptarëve. I atyre që sundojnë dhe i atyre që ua falin besimin këtyre sundimtarëve.