Zhgënjimi dhe përçarja rrezikojnë deputetët e diasporës

Prej 3'000 votuesve të fshirë nga lista janë paraqitur për regjistrim vetëm 150. Interesimi është i vogël edhe për votim në njësinë e diasporës. Për katër ditë janë paraqitur vetëm 5'000 votues nga të gjitha etnitetet, ndërsa shqiptarëve për të fituar një deputet iu duhen 6’500 vota në një listë. Përçarja e partive shqiptare në Maqedoni i rrit edhe më gjasat që shqiptarët të mbeten pa asnjë deputet nga diaspora.

Gjatë protestave të fundit masive në Shkup. Foto: Giovanni Vale / Shutterstock.com

Rreth 30 mijë votues në Maqedoni, shumica e të cilëve shqiptarë dhe një pjesë e madhe me banim të përkohshëm jashtë vendit, rrezikojnë përfundimisht të fshihen nga lista e votuesve, me çka do të humbin të drejtën e votës në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit. Interesimi i tyre është shumë i ulët, gjatë katër ditëve të afatit për paraqitje në zyrat dhe faqen elektronike të Komisionit Shtetëror Zgjedhor janë lajmëruar vetëm 150 qytetarë. Shkak i numrit të ulët të votuesve të paraqitur besohet të jetë mosinteresimi dhe zhgënjimi i votuesve nga situata dhe vetë partitë politike. Këta votues kanë afat që deri më 11 nëntor të lajmërohen në zyrat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor dhe në faqen e tij zyrtare, e cila është në tri gjuhë, maqedodonisht, anglisht dhe shqip.

Regjistrimi në listën zgjedhore

Mërgimtarët kanë mundësinë e paraqitjes përmes aplikacionit onlajn në faqen «sec.mk», me ç’rast në ballinë të saj duhet fillimisht të zgjedhin gjuhën dhe të ndjekin procedurat në vijim. Më pas në balllinë do të paraqiten tre thirrje, ku votuesit potencialë për të qenë në grupin e 30 mijë votuesve duhet të zgjedhin thirrjen e dytë (në mes), gjeqësisht poshtë kutisë, ku shkruan të zgjedhin rubrikën «Paraqitja dhe lista». Më pas hapet një faqe e re, në të cilën iu paraqiten dy mundësi përzgjedhjeje. Fillimisht duhet të kontrolloni nëse jeni në listën e 3 mijë votuesve të dyshimtë, duke klikuar mbi opsionin e parë. Në dritaren e re duhet të jepen emri e mbiemri për t’u verifikuar ndodhja në listë. Nëse emri juaj rezulton në këtë listë, atëherë duhet të ktheheni një hap prapa; aty do të zgjidhni opsionin e dytë: «Plotësoni fletëparaqitjen». Pas klikimit në këtë rubrikë do të duhet të jepni numrin amzë dhe të shkruani numrin e kontrollit që ju paraqitet në faqe. Në faqen e re duhet të plotësoni të dhënat personale që ju kërkohen.

Tre deputetët e diasporës, mundësi dhe rrezik për shqiptarët

Mosparaqitja e 3 mijë votuesve, shumica e të cilëve shqiptarë, rrezikon jo vetëm uljen e numrit të deputetëve shqiptarë në gjashtë njësitë brenda Maqedonisë, por edhe zgjedhjet e tre deputetëve në njësinë numër 7 në diasporë. Në këto zgjedhje, falë ndryshimeve në kodin zgjedhor, shqiptarëve iu janë rritur gjasat teorike për fitoren e të paktën njërit ose dy deputetëve nga diaspora. Në këto zgjedhje diaspora është një njësi zgjedhore dhe jo e ndarë në tri njësi, siç ishte në zgjedhjet e kaluara, dhe partitë garojnë me listë me tre kandidatë për deputetë. Kusht për fitoren e një deputeti është që lista të grumbullojë të paktën 6’500 vota. Nëse vetëm njëra listë e grumbullon këtë numër, dhe jo më shumë, atëherë kandidatin e dytë e fiton lista që ka fituar aq vota. Por, nëse askush nuk i fiton votat e nevojshme, atëherë nga diaspora nuk do të zgjidhet asnjë deputet.

Përveç paraqitjes në listën zgjedhore të 3 mijë votuesve, nëse janë fshirë gjatë kontrollit të parë, mërgimtarët duhet të kryejnë edhe një procedurë tjetër për votim në diasporë. Ata duhet të lajmërohen në paraqitjen e veçantë në faqen e KSHZ-së për votim në diasporë. Por, edhe në këtë rast zgjedhja e deputetëve shqiptarë në diasporë është në rrezik. Edhe për këtë paraqitje interesimi deri më tani nuk është i kënaqshëm. Nëntë ditë para skadimit të afatit për paraqitje, nga KSHZ njoftojnë se janë lajmëruar vetëm 5’000 votues, çka nuk mjafton as për një deputet. Për më tepër, duhet konsideruar që në këtë listë janë paraqitur edhe maqedonas edhe shqiptarë, si dhe mërgimtarë të etniteteve të tjera.

Fragmentimi i shqiptarëve

Nga KSHZ nuk njoftojnë për përkatësinë etnike të votuesve të paraqitur. Përveç interesimit të dobët për votim në diasporë, deputetin shqiptar në këtë njësi e rrezikon edhe shpërndarja eventuale e votës shqiptare. Deri më tani në Maqedoni janë paraqitur katër lista të partive shqiptare për pesë nga gjashtë njësitë në vend. BDI dhe PDSH kanë dalë me lista të tyre të ndara, ndërsa partitë e reja janë ndarë në dy blloqe. Në një bllok është Lëvizja Besa me krahun e ndarë të RDK-së, ndërsa në një koalicion tjetër është Lëvizja për Reforma PDSH e Ziadin Selës me Unitetin dhe RDK-në e Vesel Memetit, i cili mban edhe vulat e partisë. Deri në këto çaste partitë nuk kanë dhënë ndonjë sinjal për koalicion ose listë të përbashkët në diasporë. Nëse të katër listat garojnë të ndara, edhe në njësinë e 7-të, rreziku që shqiptarët të mos fitojnë as edhe një deputet bëhet gjithnjë e më i madh.

Si të paraqiteni për votim në diasporë?

Të gjithë ata që duan të votojnë në njësinë e 7-të për zgjedhjen e tre deputetëve duhet të paraqiten në listën e diasporës, për çka në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror Zgjedhor ka një thirrje të veçantë. Në këtë faqe votuesit duhet të zgjedhin thirrjen ku shkruan «Fletëparaqitje për votim». Më pas do t’ju hapet një faqe e re ku ka dy opsione – ju duhet të zgjidhni të parën, ku shkruan «Plotësoni fletëparaqitjen». Në të do ju kërkohet numri amzë dhe më pas do të përmbushni formularin që ju paraqitet.