Zgjedhjet në Medvegjë bllokojnë kufirin Kosovë-Serbi




Zgjedhjet lokale të së dielës në Komunën e Medvegjës, në Luginë të Preshevës, shkaktuan bllokimin e kufirit Kosovë-Serbi, pasi autoritetet serbe me orë të tëra nuk lejuan kalimin e veturave dhe të autobusëve me qytetarë nga Medvegja që jetojnë në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

 

Medvegjasit me banim në Kosovë ishin nisur për të marrë pjesë në votime për pushtetin lokal në Medvegjë, ku në garë ishin edhe dy lista shqiptare.

Autoritet serbe bllokimin e pikës kufitare në Mutivodë e arsyetonin me lindjen e një problemi në sistemin e të dhënave, gjë që shkaktoi nervozizëm tek qytetarët dhe përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës, të cilët këto pengesa të krijuara i shihnin si obstruksion dhe përpjekje për të pamundësuar votimin.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë nga Lugina e Preshevës kishin njoftuar edhe përfaqësuesit diplomatikë të shteteve perëndimore për pengesat që po i krijonte pala serbe, duke kërkuar prej tyre që të ushtronin trysnin për hapjen e kufirit.