Zgjedhjet në Gjermani: Merkel sërish e para, por me një fitore të hidhur

Në zgjedhjet e së dielës partia e kancelares Angela Merkel ka dalë e para, por ka marrë më pak vota se më 2013. Por, hyrja në parlament e partisë raciste Alternativa për Gjermaninë dhe përkrahja e dobët për socialdemokratët e bën të zbehtë fitoren e Merkelit.

Angela Merkel. Foto: Shutterstock



Në orën 18:00 në Gjermani janë mbyllur vendvotimet. Sipas parashikimeve të para (të bëra në bazë të metodës exit polls) CDU e Angela Merkel ka fituar 33.1 për qind të votave, dukshëm më pak se para katër viteve. Socialdemokratët mezi kanë arritur në 20.4 për qind – dhe kjo është një ditë e zezë për këtë parti, e cila në legjislaturën e deritanishme ka qeverisur bashkë me Merkelin. Në parlament ka hyrë edhe partia Alternativa për Gjermaninë (13.2 për qind).

Mediat gjermane kanë theksuar se prania e kësaj partie në parlament paraqet një tërmet në skenën politike gjermane. Alternativa për Gjermaninë është kundërshtare e ashpër e politikave liberale të kancelares Merkel ndaj refugjatëve dhe ka provokuar vazhdimisht opinionin me deklarata raciste. Në parlament kanë hyrë edhe Liberalët (10.4 për qind), të Gjelbërit (9.3 për qind) dhe partia Die Linke (E majta), 8.9 për qind.

Sipas televizionit publik ARD socialdemokratët janë tronditur nga rezultati dhe kanë vendosur të shkojnë në opozitë. Vendimi është konfirmuar edhe nga shefi i grupit parlamentar të SPD-së. Me përjashtimin e një koalicioni të sërishëm me konservatorët e Merkelit, kancelares së deritanishme i mbetet si opsion një aleancë me Liberalët (FDP) dhe me Partinë e Gjelbër.

Krerët e partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) kanë reaguar me entuziazëm dhe agresivitet pas parashikimeve të para mbi rezultatin elektoral. Njëri nga krerët e AfD-së, Alexander Gauland, u premtoi mbështetësve të partisë së tij se «do të bëjmë gjueti» kundër Angela Merkelit apo çdokujt që do të jetë kancelar. Funksionarë të lartë të partive të tjera shprehën zhgënjimin e madh që në Bundestag për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore ka hyrë një parti raciste, populliste dhe pjesërisht neonaziste. AfD është përkrahur nga një shtresë në rritje e shoqërisë, e cila është kritike ndaj numrit të madh e refugjatëve, sidomos nga vendet myslimane.

Në anketa shumica e votuesve të AfD-së kanë thënë se arsyeja kryesore që mbështesin këtë parti është premtimi i saj se do të kufizojë «ndikimin e islamit». CDU e Merkelit ka humbur një milion votues – ata kanë shkuar te AfD. Merkel është kritikuar sidomos për pranimin e 800 mijë refugjatëve kryesisht nga Siria në vitin 2015. Në analizat e politologëve gjermanë është theksuar se AfD përkrahet nga njerëz që nuk kanë probleme të mëdha ekonomike, madje shumica jetojnë në mirëqenie, por kanë frikë se presioni i emigrantëve dhe i globalizimit do të rrezikojë statusin e tyre social.

Në një koment të gazetës «Süddeutsche Zeitung» theksohet se tani ka ardhur koha për koalicionin Xhamajka – një aleancë mes konservatorëve të Merkelit, Liberalëve (FDP) dhe të Gjelbërve. «Pas rezultatit tmerrësisht të fuqishëm të AfD-së partitë e qendrës duhet të tregojnë fuqinë e tyre. Një mendësi e re kërkohet: CDU, të Gjelbërit dhe FDP duhet të tregojnë kurajë dhe të krijojnë qeverinë e re».

«Süddeutsche Zeitung» kritikon ashpër hyrjen e AfD-së në parlament: «Ndodhi. Nuk është më vetëm frikë: AfD do të hyjë në Bundestag me racistë, revizionistë të historisë dhe të provokatorëve agresivë. Gjermania gjendet para një kapitulli të ri. Jeta e rehatshme pa radikalë të djathtë në parlament i takon historisë. Demokracia e Gjermanië duhet të mbrohet në Bundestag, por edhe gjithkund në hapësirën publike. Pas kësaj dite të zgjedhjeve republika po sfidohet nga e djathta. Pasojat politike nuk mund të parashikohen ende. Por, një gjë është e sigurt: konsenzusi demokratik dhe sjellja e civilizuar me njëri-tjetrin gjenden para testit më të vështirë. Një grup parlamentar nuk do të angazhohet për këtë, por do ta luftojë atë».