Zgjedhje pa zgjidhje në vendin e krizave dhe korrupsionit

Maqedonasit e tronditur nga skandalet e pushtetit zgjedhin një parlament të ri. Pakica e madhe shqiptare është e përçarë si kurrë më parë. Dhe për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të Maqedonisë nga prapaskena merr pjesë edhe kryetari i Turqisë Rexhep Taip Erdoan.

Pamje nga protestat në Shkup.



Kur në vitin 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit, zyrtarët e Bashkimit Europian kishin shpresa të mëdha: tani e tutje, sipas tyre, Maqedonia do të shndërrohej, hap pas hapi, në shtet të qytetarëve të barabartë, pa marrë parasysh nëse ata janë sllavë, shqiptarë, romë apo turq. Se ndërkohë punët në Maqedoni kanë ecur në drejtim të gabuar, këtë e ilustron ky fakt: në zgjedhjet e 11 dhjetorit partia sunduese VMRO e kryeministrit Nikola Gruevski e ka kandiduar Johan Tarçullovskin. Kjo është një goditje e rëndë ndaj pakicës së madhe shqiptare në Maqedoni, sepse ish-polici Tarçullovski është dënuar nga Gjykata e Hagës për krime të luftës. Ai qëndroi në burg nga marsi i vitit 2005 deri në prill të vitit 2013. Pas lirimit nga një burg gjerman ai u prit si hero në Shkup, ndonëse ishte dënuar për vrasjen e 6 shqiptarëve në një fshat afër Shkupit dhe keqtrajtimin e rëndë të më shumë se 100 të tjerëve. Kjo është Maqedonia që synon të integrohet në BE.

Maqedonia gjendet në krizën më të rëndë politike që nga lufta e vitit 2001 mes forcave të sigurisë dhe kryengritësve shqiptarë. Në vitin 2015 opozita socialdemokrate alarmoi opinionin, duke publikuar regjistrime telefonike të shërbimit sekret të vendit. Supozohet se mes viteve 2008 dhe 2015 shërbimi sekret nën kontrollin e Qeverisë së Nikola Gruevskit kishte përgjuar së paku 20 mijë qytetarë – mes tyre politikanë, gazetarë, gjykatës, prokurorë, biznesmenë, aktivistë të shoqërisë civile.

Pas protestave të mëdha të qytetarëve dhe presionit nga ana e Bashkimit Europian Gruevski u detyrua të jap dorëheqje. Ai ishte kryeministër mes viteve 2006-2016 dhe nga opozita, shoqëria civile dhe mediat e pavarura akuzohet jo vetëm për përgjim ilegal të qytetarëve, por edhe për keqpërdorim të detyrës dhe për skandale korrupsioni. Për shkak se Gruevski dhe klika e tij kishin ushtruar ndikim të madh mbi sistemin e drejtësisë, BE insistoi në themelimin e një prokurorie speciale, e cila do të ndiqte politikanët e korruptuar. Por duket se Gruevski ende ka mundësi t’i bëjë presion prokurorisë së re si dhe Komisionit shtetëror për pengimin e korrupsionit. Dhe sikur të mos kishte ndodhur asgjë Gruevski po kandidon sërish në zgjedhjet e 11 dhjetorit – madje si bartës i listës.

Si në të kaluarën edhe në këtë fushatë elektorale VMRO luan me kartën etnike, antishqiptare. Gjuha shqipe, sipas Gruevskit, nuk do të jetë asnjëherë gjuhë zyrtare në Maqedoni. Marrëveshja e Ohrit parasheh që në lokalitetet ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë, gjuha e tyre duhet të jetë zyrtare. Në nenin 7 të Kushtetutës së Maqedonisë nënvizohet: «Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe shkrimi i saj. Gjuhë tjetër të cilën e flasin së paku 20 për qind e shtetasve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare». Ky formulim i paqartë ka lënë hapësirë për interpretime të ndryshme dhe konflikti për përdorimin e gjuhës shqipe vazhdon. Në prag të zgjedhjeve maqedonase në Manastir është sulmuar objekti ku më 1908 u mbajt Kongresi i Alfabetit të gjuhë shqipe. Urrejtja ndaj gjuhës shqipe, ksenofobia dhe demonstrimi i njëfarë epërsie kulturore maqedonase ndaj shqiptarëve tregojnë se elitat e Shkupit refuzojnë të pajtohen me faktin se Maqedonia është shtet binacional.

Pakica e madhe shqiptare, e cila popullon kryesisht pjesën perëndimore të vendit, është e përçarë si kurrë më parë. Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) si forcë kryesore politike e shqiptarëve të Maqedonisë po sfidohet nga disa fronte. Më të zhurmshëm janë politikanët e të ashtuquajturës «Lëvizja Besa», e cila nga vëzhguesit shikohet si degë e partisë së kryetarit turk Rexhep Taip Erdoan. Kjo lëvizje politike është rezultat i investimeve disavjeçare të Turqisë në Shkup sidomos në fushën e botimeve, në lansimin e mediave elektronike dhe të shtypit, në kujtimin agresiv të së kaluarës osmane, në ringjalljen e ndjenjës së përbashkët fetare, e cila duhet të mbulojë dallimet kombëtare dhe përvojat e ndryshme historike mes shqiptarëve dhe turqve. Krahas BDI-së dhe «Besës» në garën elektorale janë hedhur edhe partia e Menduh Thaçit (PDSH) dhe Zijadin Sela, i cili është shkëputur nga PDSH dhe tani i prin grupacionit politik «Levizja Reforma-PDSH». Të gjitha partitë shqiptare premtojnë se do t’i dhënë fund diskriminimit të shqiptarëve, ndërsa Ali Ahmeti më shumë përpiqet t’i rendis sukseset e arritura deri më tani: punësimin e shqiptarëve në polici, inkuadrimin e shqiptarëve në ushtri dhe në administratën e shtetit. Por është për të dyshuar nëse vetëm lavdërimi i së kaluarës mund t’i sjellë sukses partisë së Ali Ahmetit, e cila, si të gjitha partitë që qëndrojnë gjatë në pushtet, duket paksa e harxhuar dhe e dobësuar nga selksionimi shpeshherë negativ i bartësve të funksioneve.

Polarizimi i madh në mesin e partive shqiptare, zhgënjimi me performansën e tyre në pushtet dhe opozitë, shfaqja e lëzivjeve politike teokratike si rasti i «Besës» kanë neveritur një pjesë të zgjedhësve shqiptarë, të cilët e shohin veten si pjesë të një Maqedonie urbane dhe të nacionaliteteve të barabarta. Për këtë arsye dhe për herë të parë që nga pavarësimi i Maqedonisë disa mijëra shqiptarë mund të votojnë për Partinë Socialdemokrate të Zoran Zeavit. Për këtë parti po kandidojnë edhe disa figura prominente nga jeta publike e shqiptarëve të Maqedonisë. Premtimet e socialdemokratëve janë të mëdha, por zakonisht pas zgjedhjeve mund të pasojnë dëshpërimet. Për fat të keq një pjesë e madhe e maqedonasve shqiptarët i shikon ende si «mish i huaj», si «mysafir» në Republikën e Maqedonisë.

Gjatë dy viteve të fundit BE ka ndërhyrë disa herë në krizën politike në Maqedoni, duke u përpjekur të zbusë gjakrat dhe të mundësojë zgjedhje të parakohshme. Shteti është gjendur buzë greminës kur kryetari i vendit, një aparatçik i VMRO-së, deshi të amnistojë disa zyrtarë të dyshuar për përgjim të qytetarëve. Në fillim të majit 2015 madje supozohej se Maqedonia do të rrëshqasë në luftë civile pas një beteje të ashpër mes forcave policore dhe të ashtuquajturve «kryengritës shqiptarë» në një lagje të Kumanovës. Ndonëse ende nuk janë të qarta rrethanat e këtij konflikti, shumë vëzhgues flasin për një inskenim nga shërbimi sekret maqedonas me qëllim të nxitjes së konfliktit ndëretinik. Kështu do të mobilizohej shoqëria maqedonase përmes kartës nacionaliste dhe do të harrohej skandali i vërtetë: përgjimi i qytetarëve nga banda e Nikola Gruevskit.

Si kryeministër Gruevski ishte pothuaj «Persona non grata» në Bruksel, Berlin dhe Washington. Në prag të zgjedhjeve kjo ka ndryshuar. Ministri i Jashtëm i Austrisë Sebastian Kurz mori pjesë në një tubim elektoral të VRMO-së dhe ngjalli protesta si në mesin e opozitës maqedonase, ashtu edhe te disa vëzhgues të Ballkanit në Austri. Përse një diplomat i rëndësishëm europian hyn në valle elektorale me një parti të zhytur në skandale e korrupsion? Përgjigja është kjo: Maqedonia është një nga vendet qendrore në rrugën ballkanike të refugjatëve dhe Vjena po përpiqet të ruajë kontaktin edhe me Gruevskin, nëse ai do të jetë kryeministër në të ardhmen.