Zëvendësministri Hoti: Thash hajt të dal deri në Klinë

Zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti ka vizituar Klinën.




Si zakonisht, pos kumtesave MKRS-ja për vizitat e tij në terren poston edhe video në ueb-faqen e saj.

Gjatë takimit që Hoti pati të mërkurën me kreun e Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ai tregon se është «sakrifikuar» për vizitën në Klinë.

«Me ardh deri në Klinë nuk është rrugë e lehtë. Thash hajt të dal deri në Klinë», dëgjohet të thotë Hoti.

E kryetari Bashota ia «qan hallin».
«Po nja një orë rrugë po», i thotë ai.

Ndërkohë Hoti premton mbështetje për Muze, ani pse Kosova nuk e ka ende të rregulluar me Ligj çështjen e themelimit dhe funksionimit të Muzeve, përkundër shumë premtimeve për hartimin e një ligji të tillë, nga disa ministra kulture deri tani.

«Çështja e Muzeut është projekt i kapshëm dhe do të ketë mbështetjen e Ministrisë», ka thënë ai.

Hoti ka folur edhe për lokalitetin arkeologjik të zbuluar rishtas në Dresnik, teksa ka zbuluar «një sekret publik».
«Duhet të mësojmë ta respektojmë të kaluarën e lashtë. Qeveria jonë dhe Ministria jonë nuk është në nivelin e përgjegjësisë për t’u përballur me peshën që ka ky lokalitet antik», tha Hoti.

E në fund, zëvendësministri Hoti ka treguar pse Klina meriton të përkrahet.
«Duke qenë një Komunë me një investim të jashtëzakonshëm edhe gjatë luftës, është një obligim shtesë i Ministrisë që të bëhemi më të kujdesshëm që të rinjtë të kenë hapësirë ku t’i zhvillojnë aktivitet e tyre», ka thënë ai.
https://www.youtube.com/watch?t=1&v=xKe68rOb4YA