Zero ndjeshmëri për viktimat

Refuzimi pothuaj kategorik që drejtësia të merret me gjetjen dhe dënimin e fajtorëve për krime të rënda gjatë dhe pas luftës, që supozohet të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, tregon deformimin e thellë të klasës politike në Kosovë.




Pas triumfit në Kuvendin e Kosovës kundër «drejtësisë selektive ndërkombëtare» Albin Kurti tani duhet t’i dalë përpara Imer Imerit. Ky burrë nga Drenica gjatë luftës së Kosovës kishte lënë Gjermaninë për t’iu bashkuar rezistencës kundër regjimit serb të terrorit. Sapo arriti në Durrës Imer Imeri u arrestua nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në qytetin bregdetar shqiptar krerët e UÇK-së ia kishin vënë emrin «Hotel Drenica» kampit për torturim të atyre që i konsideronin rivalë politikë. Në ato kohëra rivali, qoftë edhe ai shqiptar i kulluar e patriot, shpesh shihej si më armik se polici serb. Sepse qëllimi nuk ishte vetëm çlirimi nga Serbia, por dhe madje në radhë të parë marrja e pushtetit me çdo kusht e mjet.

Imer Imeri është torturuar në burgun e UÇK-së në Cahan të Kukësit. Disa nga pjesëtarët e policisë ushtarake të UÇK-së janë shprehur të gëzuar që ky njeri krejtësisht i pafajshëm ka shpëtuar nga ferri i bashkëkombësve të tij. Asnjë fjalë solidariteti nuk u dëgjua nga asnjë deputet i Vetëvendosjes me Imer Imerin derisa të premten po zhvillohej debati për dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale. Tragjedia e Imer Imerit vazhdoi edhe pas luftës, kur në Drenicë ia vranë vëllain, Haki Imerin, një aktivist të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Porositësit e vrasjes mund të jenë tani në Kuvendin e Kosovës.

Pas triumfit në Kuvendin e Kosovës kundër «drejtësisë selektive ndërkombëtare» Fatmir Limaj tani duhet t’i dalë përpara familjarëve të Ramiz Hoxhës. Së paku duhet t’ua shpjegojë se përse bënte fushatë kundër Gjykatës Speciale, e cila do të duhej të merrej edhe me gjetjen e fajtorëve dhe dënimin e tyre për vrasjen pa gjyq, por «në emër të popullit» të Ramiz Hoxhës. Gazeta «Koha Ditore» në numrin e së shtunës e citon vendimin për ekzekutim të shkruar me dorë: «Ushtria Çlirimtare e Kosovës, Drejtoria e Shërbimit të Policisë Sekrete, në emër të popullit shpall këtë fletekzekutim: për shkak të bashkëpunimit me okupatorin, ndjelljes së frikës, panikës dhe urrejtjes, në emër të popullit shqiptar dhe në emër të luftës tonë çlirimtare dënohet me vdekje Ramiz Hoxha – Bellanicë si tradhtar i kombit. Fati i tillë do t’i pret çdo tradhtar tjetër». Ku bazohej tradhtia e Ramiz Hoxhës? Askund. Ai ishte bashkëpunëtor i kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega në Malishevë, Jakup Kastrati, dhe i nënkryetarit Cenë Desku. Nëse kjo ishte tradhti dhe arsye për pushkatim, atëherë ku është dallimi mes ekzekutorit shqiptar dhe milicit serb?

Pas triumfit në Kuvendin e Kosovës kundër «drejtësisë selektive ndërkombëtare» Ramush Haradinaj duhet të deklarohet nëse është për apo kundër atyre që në emër të UÇK-së kidnapuan 14 anëtarë të familjes serbe Kostiq në Hoçë të Madhe. Mund të ketë pasur mes tyre kriminelë lufte, por derisa kjo nuk sqarohet nga drejtësia, derisa nuk ka një vendim gjyqi, askush, asnjë komandant i UÇK-së, nuk ka pasur të drejtë t’ua humb gjurmët këtyre civilëve serbë.

Të angazhohesh për viktimat e luftës në Kosovë, të kërkosh drejtësi për ta dhe familjet e tyre nuk është punë aq e popullarizuar. Politikanë primitivë dhe mbështetës të tyre edhe më primitivë vringëllojnë menjëherë thikat e ndryshkura dhe nëpër internet kryejnë ekzekutime virtuale e simbolike të «tradhtarit në mesin tonë», «të spiunit të Serbisë», «të armikut të kombit shqiptar». Refuzimi pothuaj kategorik që drejtësia të merret me gjetjen dhe dënimin e fajtorëve për krime të rënda gjatë dhe pas luftës, që supozohet të jenë kryer nga pjesëtarë të UÇK-së, tregon deformimin e thellë të klasës politike. Ndjeshmëria e munguar për viktimat, retorika raciste në stilin «hajt se çka ka gajle që kanë vra serbë, romë e bashkëpunëtorë shqiptarë të Serbisë», vetëdija e pazhvilluar për sundimin e ligjit e kanë futur Kosovën në qorrsokak. Kush mendon se krimet e palës shqiptare, ndonëse në asnjë mënyrë të krahasueshme me makinerinë vrasëse të Beogradit, pra kush mendon se krimet shqiptare janë «krime të mira», «superiore», «të domosdoshme» – ai nesër kështu do t’i arsyetojë edhe krimet ndaj bashkëkombësve. Në fakt kjo ka ndodhur në Kosovë: janë vrarë apo keqtrajtuar oponentë politikë dhe për t’u dukur krimi «i mirë» ata janë njollosur si spiunë të Serbisë. Imer Imeri dhe Ramiz Hoxha janë vetëm dy prej tyre.

Imazhi i Kosovës nuk njolloset nëse të dyshuarit për krime lufte dalin para gjyqit. Imazhi i Republikës dëmtohet nëse kjo shoqëri vazhdon t’i durojë e pranojë të dyshuarit për krime lufte si deputetë, kryetarë komunash, funksionarë të lartë shteti. «Menaxherët» e burgut në Cahan dhe «recepsionistët» e «Hotel Drenicës» në Durrës e kanë vendin në burg. Nëse Albin Kurtit i dhimbsen aq shumë le të bëhet avokat i tyre, le të hyjë në grevë urie për këta «luftëtarë lirie». Të nervozohesh sot, siç bëjnë disa arsyetues krimesh, se bashkësia ndërkombëtare po krijon Gjykatë Speciale për të «njollosur luftën» është më shumë se absurde. Luftën për liri e njollosin dhe e kanë njollosur vetë kapadainjtë shqiptarë, duke kërkuar që edhe më tutje të bashkëjetojmë me të dyshuar për krime të rënda lufte, të cilët nuk frikësohen t’ua publikojnë emrat dëshmitarëve të mbrojtur, nuk tuten t’i kërcënojnë dëshmitarët, nuk ngurrojnë t’i vrasin dëshmitarët, nuk i hanë palla për sistem të drejtësisë.

Albin Kurti ndoshta do të duhej t’i linte anash për pak orë librat filozofikë dhe të lexonte raportin e Jean Charles Gardetto për Këshillin e Europës për të parë se deri ku ka arritur frikësimi i dëshmitarëve në Kosovë. Atëherë ai do të ishte më konsekuent në qëndrimet e tij dhe jo të bëhej gaz i botës me poza kinse patriotike, por të cilat në thelb janë vetëm përpjekje raciste që krimet e supozuara të palës shqiptare, të hetuara nga një prokuror amerikan, të quhen «krime të mira», «fisnike». Nëse në ditët apo javët në vijim nuk gjendet një rrugëdalje nga ky qorrsokak, atëherë «krimet fisnike» do të gjenden në agjendën e mikut të madh të Kosovës Vitali Çurkin, ambasador i Rusisë në OKB. A do ta trajtojnë kapadainjtë shqiptarë tani e tutje ambasadoren amerikane Samantha Power si armike të Kosovës vetëm përse ajo bëri thirrje për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për Gjykatën Speciale? Po, edhe kjo është e mundshme. Sepse Çurkini i ka përkrahur bombardimet e NATO-s, ndërsa Samantha Power si gazetare dhe si diplomate amerikane nuk e ka përgatitur opinionin në SHBA për të ndërhyrë në Kosovë për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Bile Samantha Power nuk ka shkruar as një libër për domosdoshmërinë e evitimit të gjenocidit kudo në botë. Krejt këto janë ëndrra e përralla. Rroftë Çurkini! Rroftë Albini!