Zëri i viktimave nuk mund të mbytet

Diktatura ushtarake në Argjentinë mori fund para 34 viteve. Viktimat kërkuan 34 vjet drejtësi. Në fund të nëntorit 48 ish-ushtarakë u dënuan me burg për keqtrajtimin dhe vrasjen e 789 njerëzve. Nëse ndokush në Kosovë mendon se familjet e viktimave duhet të heshtin - e ka shumë gabim. Refuzimi për të folur për anët e errëta të historisë më të re të Kosovës na bën shoqëri johumane, të padrejtë dhe antiperëndimore. Këtë, me sa duket, nuk duan ta kuptojnë shumë aktivistë të shoqërisë civile dhe propagandues të ndryshëm cinikë, andaj sillen me aq oportunizëm dhe shpërfillje ndaj viktimave.




Në fund të nëntorit në Buenos Aires drejtësia e tha fjalën e vet. Në procesin më të madh gjyqësor të historisë së Argjentinës u dënuan me burg shumëvjeçar 48 ish-ushtarakë. 29 prej tyre morën dënime me burgim të përjetshëm. Ish-ushtarakët u dënuan për rrëmbim, torturë dhe, në të shumtën e rasteve, për vrasjen e 789 njerëzve gjatë diktaturës ushtarake mes viteve 1976-1983. Gjatë shpalljes së dënimit në sallën e gjykatës u zhvilluan skena si në një stadium futbolli. Në pjesën e epërme të sallës ish-oficerë këndonin himnin kombëtar dhe përkrahnin shokët e tyre. Një kat më poshtë familjet e viktimave të diktaturës bërtisnin: «Vrasës, vrasës!»

Procesi pesëvjeçar trajtoi shkeljet e të drejtave të njeriut në shkollën famëkeqe të mekanikës së marinës (ESMA) ku gjendej kampi më i madh i të burgosurve gjatë diktaturës. Këtu u vranë 4000 njerëz, mes tyre edhe dy murgesha franceze. Tetë viktima u hodhën nga avioni në lumin La Plata. Në mesin e të dënuarve gjenden xhelatët kryesorë të juntës ushtarake. Dy prej tyre njihen me nofka si «Tigri» dhe «Engjëlli bjond i vdekjes». Njëri nga të akuzuarit u dënua me burg të përjetshëm për shkak të kidnapimit të suedezes 17-vjeçare Dagmar Hagelin. Kufoma e saj nuk është gjetur kurrë, vajza suedeze ishte burgosur gabimisht. Aktgjykimi kundër ish-ushtarakëve të juntës u vlerësua si historik për pajtimin e shoqërisë argjentinase. Krimet e diktaturës ende janë traumë kombëtare.
Diktatura ushtarake në Argjentinë mori fund para 34 viteve. Viktimat kërkuan 34 vjet drejtësi. Protestuan në sheshe dhe në forma të tjera. Nuk u dorëzuan kurrë. Sepse askush – as në Kosovë – nuk ka të drejtë të kërkojë që viktimat të heshtin. Ato nuk do të heshtin. Është thellësisht e pamoralshme të kërkohet që viktimat të heshtin, të tentohet të blihet heshtja e tyre apo e dëshmitarëve – për shembull me para, dekorata shtetërore dhe privilegje të tjera. Ndokush edhe mund të pranojë «oferta» të tilla, duke e hedhur në pazar gjakun e familjarëve, por jo të gjitha familjet e viktimave dhe të mbijetuarit e keqtrajtimeve janë kaq të paskrupullt. Refuzimi për të folur për anët e errëta të historisë më të re të Kosovës na bën shoqëri johumane, të padrejtë dhe antiperëndimore. Këtë, me sa duket, nuk duan ta kuptojnë edhe shumë aktivistë të shoqërisë civile, andaj sillen me aq oportunizëm dhe shpërfillje ndaj viktimave.

Ka edhe të ashtuquajtur gazetarë e publicistë që i kanë vënë vetes për detyrë të zbulojnë armiqtë e brendshëm, të cilët po e «përkrahin Gjykatën Speciale». Thua ti se kjo gjykatë është krijuar si rezultat i komenteve në media. Kështu mund të mendojnë të verbrit, besimtarët e atyre partive që po provojnë ta pezullojnë Gjykatën Speciale, e cila është themeluar pas dyshimeve serioze për krime, të hetuara nga një prokuror amerikan. Njerëzit normalë që kanë aftësi të përdorin logjikën e vet e kanë të qartë si erdhi puna deri këtu: «gjatë luftës çlirimtare janë bërë gabime», këtë e pranojnë vetë krerët e ish-UÇK-së. Çfarë quajnë ata «gabime» janë – në fakt – krime: vrasje pas shpine, keqtrajtime në «qendra ndalimi» në Shqipërinë veriore, kidnapime në rajonet e kontrolluara nga UÇK në Kosovë dhe shumë «gabime» të tjera.

Për periudhën e pasluftës të mos flasim. Dihen me emra e me mbiemra njerëzit e vrarë për shkaqe politike. Shumica e këtyre rasteve nuk kanë marrë përgjigje nga gjykatat. Shteti ka qenë (dhe vazhdon të jetë) në duar të atyre që dyshohet se mund të qëndrojnë pas krimeve. Pas luftës në sistemin e drejtësisë janë «rehatuar» edhe gjykatës dhe prokurorë të kohës së komunizimit jugosllav, të cilët kanë dënuar shqiptarë për shkak të parullës Kosova Republikë. Të frikësuar e të diskredituar për shkak të së kaluarës së tyre ata kishin dhe kanë një prioritet: si të bëhen shërbëtorë sa më besnikë të padronëve të tyre të rinj, kastës së «çlirimtarëve». Nëse drejtësia ndonjëherë ka bërë përpjekje të hetojë ndonjë krim të rëndë, puna e saj është vështirësuar dhe pamundësuar për shkak të frikësimit të dëshmitarëve. Në shumë raporte ndërkombëtare përmendet ky problem i tmerrshëm i Kosovës: frikësimi i dëshmitarëve.

Nuk ka asgjë patriotike në heshtjen e krimeve. Nuk ka asgjë patriotike në injorimin e viktimave. Nuk ka asgjë patriotike në ndërtimin e narrativit se disa civilë janë vrarë «për interesa të larta», «disa rivalë për shkak se ishin rivalë» etj. Edhe më i poshtër është qëndrimi se «ata që na e sollën lirinë, edhe nëse kanë kryer ndonjë krim, prapë janë të pafajshëm». Kështu mund të mendojnë cinikët pa asnjë ndjeshmëri për viktimat. Ky mentalitet tribal e solli Gjykatën Speciale. Sepse të pushtetshmit mendonin se shoqëria e frikësuar kosovare tashmë ka nënshkruar obligimin për të heshtur, një lloj omerte. Por doli se ligji i omertës nuk i përfshinë ata që vërtet e çliruan Kosovën. SHBA-të dhe shumicën e vendeve të Europës perëndimore. Zëri i viktimave nuk mund të mbytet – as në Kosovë, as në Argjentinë. (Ndonëse konfliktet janë krejtësisht të ndryshme).