Zeqir Rexhaj shpëton pilotin zviceran

Të dielën në kantonin Aargau është rrëzuar një avion i vogël. Pilotit të lënduar rëndë i ka dalë në ndihmë një shqiptar.




Rreth mesditës në komunën Muhen të kantonit Aargau është rrëzuar një avion i vogël, i cili drejtohej nga një pilot privat. Pas rrëzimit avioni është përplasur me një veturë dhe me atë rast kanë pësuar lëndime të rënda piloti dhe drejtuesja e veturës. Mbi vendin ku u rrëzua avioni të dielën në mesditë dukeshin re të mëdha tymi, raportojnë mediumet zvicerane.

Sipas portalit «20minuten» ishte shqiptari Zeqir Rexhaj nga qyteti Wohlen, i cili e tërhoqi pilotin nga avioni që po digjej. Pa ndihmën e tij piloti ndoshta nuk do të kishte mbijetuar. Rexhaj ka treguar se ishte duke shkuar nga puna në shtëpi, kur ndodhi tragjedia. «Befas në anën e djathtë pashë një avion duke fluturuar shumë ulët. M’u duk e çuditshme, sepse aty afër nuk ka pistë», tha ai. Gjatë rrëzimit avioni u përplas me një veturë, duke e rrokullisur atë. «E ndala menjëherë veturën dhe vrapova te vendi i aksidentit. Pasi pashë që avioni po digjej dhe gruaja në veturë nuk ishte drejtpërdrejtë në rrezik, vendosa t’i ndihmoj pilotit. Rexhaj ka treguar se piloti nuk kishte më forcë të dilte nga avioni dhe flakët kishin përfshirë edhe trupin e tij. «Unë thjesht reagova dhe e kapa për koke duke e tërhequr nga avioni», tha Rexhaj. Ai shpreson se në ditët në vijim do ta vizitojë në spital pilotin e lënduar rëndë. -lli